TIRANË- Në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes u zhvillua sot ceremonia e dorëzimit të 27 automjeteve ndihmë nga Forcat e Armatosura të Turqisë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Në ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, gjeneralë, ushtarakë të lartë të MM-së, SHP dhe FA-ve shqiptare, atasheu ushtarak turk i akredituar në vendin tonë etj.


Ministrja e Mbrojtjes Kodheli në fjalën e saj theksoi se këto 27 mjete janë pjesë e paketës së mjeteve të transportit, një projekt i nisur në fundin e vitit 2014. “Ne do të vazhdojmë këtë projekt modernizimi edhe në vitet në vazhdim sepse përmirësimi i transportit të FA, vazhdon të jetë në listën prioritare të përpjekjes së përbashkët që prej 20 muajsh qeverisje”, tha Kodheli.


Me këtë rast, ministrja e Mbrojtjes ka falënderuar Qeverinë dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë për mbështetjen e pakursyer për FA-të shqiptare, sidomos në kuadër të trajnimeve, edukimit apo edhe pajisjeve, si dhe ka siguruar se bashkëpunimi do të vijojë edhe në të ardhmen.


Të pranishmit në ceremoni i përshëndeti edhe ambasadori turk, Bayraktar, i cili theksoi se, Turqia e vlerëson Shqipërinë si një vend kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan dhe, për këtë arsye, do të vijojë ta ndihmojë për modernizimin e FA-ve. Ai falënderoi qeverinë shqiptare dhe veçanërisht Ministren e Mbrojtjes Kodheli për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe ushtrive tona.

Më pas, ministrja Kodheli e shoqëruar nga gjeneralmajor Bazo dhe ambasadori Bayraktar vizituan nga afër automjetet e dhuruara nga Republika e Turqisë për FA-të shqiptare.

Pas 10 minibusëve, të prodhuar nga kompania e njohur e prodhimeve ushtarake të Turqisë, “Otokar ”, të cilët u dhuruan nga Turqia në fillim të vitit 2015, tashmë janë 27 automjete  të markës “Land Rover” të tipit “Defenter”, 110 dhe 130, që do të përdoren për transport trupash të FA Shqiptare në operacione të ndryshme.

 

(m.k/BalkanWeb)