Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar ka kërkuar nga institucionet e Maqedonisë së Veriut, që të ndërmarrin masa kundër siç ka thënë, “strukturave terroriste të organizatës Feto” që veprojnë në territorin e këtij vendi, e që sipas tij, po dëmtojnë “raportet mes dy vendeve, miqësinë dhe lidhjes vëllazërore”.


“I kemi emrat e disa prej personave kryesorë të organizatës terroriste dhe thellë jam i bindur se ditët e ardhshme institucionet e Maqedonisë së Veriut do të ndërmarrin masa konkrete lidhur me këtë. U besojmë institucioneve të Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar ministri turk i mbrojtjes, Akar pas takimit në Shkup me ministren e mbrojtjes të Maqedonisë, Radmilla Sheqerinska.


Ministrja Sheqerinska ka pranuar se me homologun e saj turk, ka biseduar për shumë çështje, përfshirë edhe atë të ngritur nga ministri turk, por pa dhënë detaje, shkruan rel.


Ajo ka thënë se nuk beson se problemi i ngritur nga zyrtari turk do të ndikojë në ratifikimin e protokollit nga ana e Turqisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Turqia është partner shumëvjeçar dhe shtet mik i yni…kemi biseduar në drejtim të zgjidhjes së problemeve dhe sfidave me të cilat përballen dy vendet, përfshirë edhe këtë problem…Nuk kemi biseduar për afate, çështje ditësh apo javësh por për çështje që janë të rëndësishme për dy vendet. Nuk kemi dilema se Republika e Turqisë do të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO”, ka deklaruar Sheqerinska.

Turqia edhe më parë ka kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut që të ndërpresë mbyllë shkollat, që sipas Ankarasë kanë lidhje me lëvizjen e klerikut fetar, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja zyrtare e fajëson për tentimet e dështuara për puç më 2016.

Megjithatë deri më tani zyrtarët maqedonas kanë refuzuar kërkesat e tilla.