Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka konfirmuar të hënën vdekjen e Fetullah Gylenit, teksa ka  deklaruar se vdekja e një kleriku islamik me bazë në SHBA nuk do ta pengojë luftën e shtetit kundër terrorizmit.

Fethullah Gylen ishte një klerik që frymëzoi një lëvizje sociale globale ndërsa përballej me akuzat se organizoi një grusht shteti të dështuar të vitit 2016 në vendlindjen e tij, Turqinë, raporton AP.

Ministri Fidan ka bërë të ditur se vdekja e Gylenit është konfirmuar nga burime të inteligjencës turke.

Ai ka shtuar se vdekja e Gylenit “nuk do të na bëjë të vetëkënaqur apo të relaksuar”.

“Kjo organizatë ka qenë një kërcënim që rrallë shihet në historinë e kombit tonë. Kombi ynë, shteti ynë do të vazhdojë të luftojë kundër kësaj organizate siç bëjnë me të gjitha llojet e organizatave terroriste”, ka theksuar Fidan.

Ai gjithashtu u bëri thirrje ndjekësve të Gylenit që të largohen nga “kjo rrugë e gabuar tradhtare”.

Gyleni i kaloi dekadat e fundit të jetës së tij në mërgim, duke jetuar në një kompleks të mbyllur në malet Pocono të Pensilvanisë, nga ku vazhdoi të ushtronte ndikim mes miliona ndjekësve të tij në Turqi dhe në mbarë botën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: