ANTALIA- Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në lidhje me mos ekstradimin e ushtarakëve puçistë të cilët ishin arratisur në Greqi pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik, deklaroi sot se “Mes nesh dhe Greqisë krahas marrëveshjes për emigracionin që kemi nënshkruar me Bashkimi Evropian, është edhe marrëveshja bilaterale e ripranimit. Do të hedhim hapat e nevojshëm, përfshirë anulimin e marrëveshjes së ripranimit. Edhe ne nuk mund të shohim pozitivisht ndaj vendeve që mbrojnë terroristët, tradhtarët, puçistët. Edhe Greqia duhet ta dijë këtë”, raporton Anadolu Agency.


Ministri Çavuşoğlu, i ndodhur në qytetin Antalya ka bërë disa deklarata për gazetarët në lidhje me vendimin e Greqisë për të mos ekstraduar në Turqi 8 ushtarakët puçistë që u arratisën pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik. Duke theksuar se një vendim i tillë është kategorikisht i papranueshëm, Çavuşoğlu është shprehur: “Ja mbizotërimi i ligjit. Nuk ka një gjë të tillë. Pra këto janë 8 tradhtarë puçistë, tradhtarë të cilët kanë kërcënuar jetën e presidentit tonë, pra nuk janë kriminelë të thjeshtë. Greqia ka vuajtur shumë nga grushtet. Ne mendojmë se ky nuk është një vendim ligjor. Në çdo kushtetutë, në çdo ligj që mund të shikoni në asnjërën prej tyre nuk bëhet fjalë për të mbrojtur puçistët dhe terroristët.” Pasi ka theksuar se puçistët e arratisur në Greqi duhet të gjykohen në mënyrë të drejtë, Çavuşoğlu ka tërhequr vëmendjen se për gjykimin e tyre ata duhet të ekstradohen në vendin ku krimi është kryer.


Ndër të tjera ai ka rikujtuar se mes Greqisë dhe Turqisë ka marrëveshje. “Faktikisht Greqisë i kemi dhënë të gjitha informacionet dhe provat e nevojshme. Për këtë arsye ky vendim nuk është vendim ligjor, ky është një vendim politik. Aktualisht Greqia ndodhet në pozicionin e një vendi i cili mbron puçistët dhe terroristët. Faktikisht ajo ka mbrojtur edhe terroristë si të DHKP-C dhe PKK-së. Madje dihet se në Greqi ndodhen edhe disa kampe të DHKP-C, ku disa prej tyre i kanë mbyllur si rezultat i presioneve tona. Por me të vërtetë ky vendim është i papranueshëm. Sigurisht që kemi bërë deklaratat e nevojshme dhe kemi kërkuar rigjykimin e tyre, por tregojmë edhe reagimin tonë për të cilën do ta tregojmë edhe në zbatim. Dashur pa dashur kjo do të ndikojë në marrëdhëniet tona”, është shprehur kryediplomati i Turqisë. Ndërkohë Ankaraja zyrtare i ka dërguar një kërkesë të dytë Athinës për ekstradimin e tetë ushtarëve të akuzuar si puçistë, që kërkojnë azil politik në Greqi me arsyetimin se ata frikësohen të jetojnë në Turqi. Autoritetet turke i akuzojnë këta ushtarë se kanë qenë të përfshirë në puçin e dështuar të 15 korrikut 2016, ndërsa i ka shpallur tradhëtarë.
(ed.me/BalkanWeb)