Sistemi rus i mbrojtjes ajrore S-400 nuk paraqet problem për NATO-n, tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).


“Ne nuk kemi problem me NATO-n. Siç kuptohet edhe nga deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm dhe ndihmësit të tij, S-400 nuk përbën problem për NATO-n”, tha Çavuşoğlu në një prononcim për median ruse pas takimit me homologun rus Sergey Lavrov në margjina të Takimit të 52-të të Ministrave të Jashtëm të Unionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok.


“Turqia kontribuon në aktivitetet e NATO-s në shumë fusha. Kjo çështje nuk është hapur për diskutim në asnjë samit të NATO-s”, theksoi kryediplomati turk, duke shtuar se blerja e sistemit S-400 ndikon më shumë në marrëdhëniet Turqi-SHBA sesa në ato me NATO-n.


Që nga viti 2017, Turqia dhe SHBA kanë përjetuar mosmarrëveshje pas vendimit të Ankarasë për të blerë S-400, sistem mbrojtjeje raketore të prodhuar nga Rusia, dhe kërcënimeve të Washingtonit për të prishur kontratën e saj për t’i shitur Turqisë aeroplanë luftarakë F-35 si pasojë e blerjes së sistemit rus.

SHBA pretendon se S-400 do të jetë i papërshtatshëm me sistemet e NATO-s, një argument të cilin Turqia e ka kundërshtuar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se i takon Turqisë të marrë vendimet e veta për blerjet e sistemeve të armëve.

Ndërkohë, në margjina të samitit, Çavuşoğlu më vonë u takua me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi, dhe ministrin e Jashtëm tajlandez, Don Pramudwinai.

Ai gjithashtu do të marrë pjesë në takimin trepalësh ASEAN-Turqi. Takimet në Tajlandë do të vazhdojnë deri më 3 gusht.

ASEAN, një bllok rajonal prej dhjetë vendeve, përfshirë Brunein, Kamboxhian, Indonezinë, Laosin, Malajzinë, Mianmarin, Filipinet, Singaporin, Tajlandën dhe Vietnamin, u themelua më 8 gusht të vitit 1967 në Bangkok. Turqisë iu dha statusi i Partnerit të Dialogut Sektorial në vitin 2017./AA

Etiketa: