Shoqëria shqiptare ende nuk do të pranojë që femra është njeri! Meshkujt në vendin tonë kërkojnë ende atë femrën e dikurshme, që ishte brenda shtëpisë e vërtitej mes lavamanit, kuzhinës e fëmijëve. Ata kanë mbetur te biologjia e tyre: forca fizike dhe dhuna seksuale e me këto dy instrumente mendojnë të mbajnë të disiplinuar femrën për ta kontrolluar atë”.

Kështu është shprehur Gëzim Tushi, sociolog i njohur shqiptar dhe “Mjeshtër i Madh” gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”, lidhur me vrasjet e 7 grave dhe vajzave brenda 45 ditësh. Ai thekson se shkaku kryesor i agresivitetit të meshkujve ndaj femrave është mentaliteti i vjetër patriarkal, maskilist, historikisht i trashëguar nga shoqëria jonë, i cili nuk ka pasur respektin e duhur për femrën, qoftë si grua, si nënë, si e bashkëshorte. Sipas Tushit, në ato familje ku femra është e papunë, mashkulli kërkon një status të privilegjuar për shkak se i siguron bukën e gojës gruas së tij.

Sociologu bën me dije se shoqëria shqiptare është përballë një nevoje për një revolucion të vërtetë në lidhjet mes meshkujve dhe femrave dhe jep disa opsione për zbutjen e situatës.

Sot (dje) një tjetër grua është gjendur e vrarë, ndërkohë që për 45 ditë plot 7 femra kanë humbur jetën pas agresionit nga bashkëshortët, baballarët apo të dashurit e tyre. Cili është mendimi juaj si sociolog lidhur me këtë situatë?
Unë mendoj se ngjarjet e kohëve të fundit, vrasja në “seri” e femrave shqiptare për shkaqe nga më të ndryshmet është një situatë alarmante, anormale, që edhe metafora mjekësore e patologjisë është e pamjaftueshme për ta rrokur në dimensionin sasior dhe cilësor këtë patologji të përgjithshme të shoqërisë shqiptare. Për fat të keq, ditë pas dite, përballemi me raste të ndryshme të vrasjes së grave, pjesa më e madhe e krimeve të kryera nga bashkëshortët, të dashurit dhe njerëzit që kanë lidhje me to. Pjesa më e madhe e vrasjeve janë bërë për arsye banale, justifikime qesharake kriminale, duke filluar nga ato që kanë të bëjnë me të ashtuquajturën çështje nderi, e cila është bërë një “ombrellë” për të mbuluar sasinë e madhe të krimeve që kryejnë meshkujt në shoqërinë shqiptare. Ata shfaqen me një agresivitet të jashtëzakonshëm.

Pse gjithë ky agresivitet nga ana e meshkujve shqiptarë? Cilët janë faktorët që e kanë sjellë shoqërinë tonë në këtë pikë?
Shkaqet janë të shumta. Shkaku kryesor i agresivitetit të meshkujve ndaj femrave është një mentalitet i vjetër patriarkal, maskilist, historikisht i trashëguar nga shoqëria jonë, i cili nuk ka pasur respektin e duhur për femrën, qoftë si grua, si nënë, si e bashkëshorte; në të gjitha rolet që mund të jetë femra në shoqëri. Ky mentalitet patriarkal është ende shumë i fuqishëm dhe kjo është një arsye, e cila ndikon në këtë intensitet të krimeve, sepse meshkujt nuk e pranojnë marrëdhënien parteriale me femrën e tyre, por duan të jenë sundues, të vendosin kufirin, lirinë për gratë dhe të përcaktojnë se çfarë duhet të bëjë ajo, si të sillet, si të vishet e me kë duhet të shoqërohet. Në këtë mënyrë, martesa kthehet nga një marrëdhënie e lirë dhe funksionuese, në një burg për femrën, pra jo një marrëdhënie mes dy parterësh, por një marrëdhënie mes një padroni (mashkulli) dhe një skllaveje (femra).

A ndikon patriarkaliteti në këtë situatë dhe sa i theksuar është ai?
Një tjetër arsye e këtij agresioni nga ana e meshkujve është përplasja e kornizës së vjetër morale për shikimin e femrës, të iniciativës, të së drejtave dhe lirisë së saj. Shoqëria shqiptare ende nuk do të pranojë që femra është njeri. Ajo hyn në martesë dhe ka disa detyrime, por nuk duhen harruar të drejtat që ajo ka. Ndërkohë, meshkujt në vendin tonë kërkojnë ende atë femrën e dikurshme që ishte brenda shtëpisë e vërtitej mes lavamanit, kuzhinës e fëmijëve. Femra sot është bërë më e shkathët, më iniciatore, ka më shumë vetëvlerësim e si gjini dëshiron të jetë e pavarur. Ajo e pranon rolin e saj si nënë e bashkëshorte, por jo sipas kornizës së vjetër morale. Meshkujt kanë mbetur te biologjia e tyre: forca fizike dhe dhuna seksuale e me këto dy instrumente mendojnë të mbajnë të disiplinuar femrën për ta kontrolluar atë. Ky mentalitet skllavërues i meshkujve shqiptarë, është i papranueshëm dhe kjo po sjell krime shumë të mëdha. Jemi në një shoqëri moderne dhe postmoderne, nuk mund të nxjerrim mekanizmat e ndryshkur të së kaluarës për të vendosur disiplinën për femrat. Gjithashtu, në shoqërinë shqiptare ka një përdorim të gjerë të lëndëve psikotrope, të alkoolit e drogave që po sjellin dëme të mëdha. Një pjesë e madhe e krimeve kanë qenë nën efektet e alkoolit.

Po faktori ekonomik sa ndikon në nënshtrimin e femrës nga ana e meshkujve?
Në ato familje ku femra është e papunë, mashkulli kërkon një status të privilegjuar për shkak se i siguron bukën e gojës gruas së tij. Ky është mentalitet i një “prostitucioni të maskuar”, ku mashkulli kërkon nga femra e tij të gjitha favoret që dëshiron vetëm për faktin që ai e ushqen. Kjo është një kambanë alarmi që ne duhet të shikojmë punësimin e grave, rritjen e autoritetit të tyre financiar në familje, në mënyrë që t’i shpëtojnë kësaj maske të “prostitucionit të maskuar”. Edhe emigracioni është një faktor tjetër që ndikon në krimin në familje. Ata që kanë vrarë gratë, jo në pak raste kanë qenë burra të kthyer nga emigracioni dhe ndeshen me thashetheme dhe kur vijnë këtu ,i rikthehen mentalitetit lokalist dhe për shkak të dyshimeve i vrasin gratë se bëhen pre e paragjykimeve.

A nuk e perceptojnë dot si zgjidhje divorcin burrat shqiptarë, në vend që t’u marrin jetën grave të tyre?
Koncepti që po sjell krime të shumta është e ashtuquajtura “shkelje e nderit” nga ana e grave dhe kjo iu jep të “drejtën” burrave të kryejnë një veprim që miratohet edhe nga një pjesë konservatore e shoqërisë, e cila thotë “mirë ia bëri”. Kur burrat vrasin gratë për mungesë besnikërie bashkëshortore, na përball me një akt mesjetar, kjo është një zgjidhje kafshërore që buron nga mentaliteti që gruaja është pronë e tyre. Ka zgjidhje të qytetëruara. Divorci nuk është emancipim i martesës, por është një mjet që zgjidh konfliktin, qoftë edhe për shkeljen e kurorës. T’i jepet një zgjidhje e kulturuar, nuk ka pse të zgjidhet një rrugë e përbindshme si vrasja. Shoqëria shqiptare mbart një shkak madhor që ka krim të madh brenda familjes, sepse kultura e martesës dhe e divorcit është shumë e dobët. Pikërisht ngaqë martesën e bëjnë nga tundimet e seksualitetit dhe nuk e konsiderojnë me përgjegjësi, ajo kthehet në një vatër konflikualiteti, që kalon deri në krim. Madje, edhe divorcet janë të dhunshme, pasi meshkujt nuk pranojnë të emancipohen e të progresojnë në rrugën e qytetërimit human lidhur me femrat e tyre.

Si reagon opinioni publik lidhur me këto ngjarje?
Shoqëria shqiptare nuk është totale nga pikëpamja e niveli të zhvillimit kulturor, arsimor dhe qytetar. Në shoqërinë tonë ka një elitë intelektuale, një klasë të mesme që di të procedojë humanisht si dhe ka një shtresë të prapambetur, një të paarsimuar, një të marxhinalizuar. Pra, në këtë strukturë të ndërlikuar të shoqërisë shqiptare, reagimet e opinionit publik ndaj akteve të tilla janë të ndryshme. Për fat të keq, shoqëria shqiptare në mazhorancë ka mentalitetin konservator, sipas të cilit femra që kryen një shkelje të besnikërisë bashkëshortore apo një lidhje paralele, duhet të ndëshkohet radikalisht. Opinioni i konservatorëve nënkupton që është e drejta e mashkullit, që për shkak të tradhtisë t’i marrë jetën gruas. Ky është një koncept edhe më primitiv.

Cilat janë disa nga zgjidhjet që ju sugjeroni për të zbutur situatën?
Jemi përballë një nevoje për një revolucion të vërtetë në lidhjet mes meshkujve dhe femrave në shoqërinë tonë. Zgjidhjet për të zbutur situatën janë të shumta. Ne kemi nevojë të përqendrohemi te të gjithë faktorët socialë, që kanë ndikime kulturore dhe edukative. Në shoqërinë liberale, nuk është shteti, as ligji që e zgjidhin këtë problem. Këta të fundit normalisht që kanë rolin e tyre, por krimet po ndodhin brenda në familje dhe familja është një institucion i jetës private ku shteti nuk mund të ndërhyjë. Ne kemi nevojë t’i kthejmë investimet e shtetit dhe të shoqërisë te familja.

Nëse nuk do të merremi me familjen që ajo të luajë role humanizuese, që të rrisë fëmijë të edukuar, për të ndërtuar marrëdhëniet gjinore meshkuj-femra në familje, për të krijuar një kornizë të re konceptuale dhe morale për marrëdhëniet midis tyre, ne nuk do të arrijmë dot gjëra pozitive. Investimi për familjen duhet të kthehet në një politikë strategjike shtetërore. Edhe shkolla nëpërmjet kulturës që jep te brezat e rinj, ka mundësi të zhdukë këtë bishën e egër që kanë një pjesë e meshkujve shqiptarë. Shkolla duhet të japë edukim human e seksual dhe ky i fundit nënkupton jo vetëm teknikalitetin, por t’u mësojmë aspektet humane, vlerën që ka femra.

Shoqëria civile është një tjetër faktor që mund të ndikojë shumë në zbutjen e krimit ndaj femrave. Por organizatat joqeveritare duhet të merren jo vetëm me gratë, por edhe me meshkujt për t’i humanizuar në mënyrë që të komportohen më mirë me vajzat e gratë. Një tjetër instrument për përmirësimin e situatës janë edhe institucionet fetare, pasi mund të ndikojnë në përmirësimin shpirtëror të besimtarëve të tyre. Shteti duhet të ndjekë politika radikale në ndëshkimin e kriminelëve, me tolerancë zero ndaj atyre që përdhosin, përdhunojnë dhe vrasin femrat. Mediat jo në pak raste nëpërmjet trajtimit sipërfaqësor të fakteve, bën edhe dëm. Ajo është një sociologji e sipërfaqshme, pa u menduar për efektet që mund të ketë në shoqëri. Kështu që media duhet të gjejë një stabilitet ekzistencial dhe profesional që të dallojë çfarë duhet thënë e çfarë jo. Një pjesë e neurotizmit vjen edhe nga bombardimi mediatik.

Sa kohë mund t’i duhet shoqërisë shqiptare për t’i dhënë fund këtij mentaliteti patriarkal?
Shoqëria shqiptare prej kohësh përpëlitet në një tranzicion të tejzgjatur jo vetëm politik e ekonomik, por sidomos në një tranzicion moral e konceptual që ka të bëjë me ndryshimin e parimeve, të normave të sjelljes. Normat qytetëruese te ne po vijnë shumë ngadalë. Pikërisht mungesa e instrumenteve qytetëruese, e dialogut, zgjidhjes së konflikteve në mënyrë njerëzore. Nëse funksionojnë instrumentet e sipërpërmendura, do të krijohet një strukturë kompakte ku secili nga këta faktorë të luajë rolin e vet dhe ka mundësi të përshpejtojnë procesin e qytetërimit të shoqërisë sonë./gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb