SHBA- “App graph”, është projekti më i ri që ka ndërmarrë Twitter Inc., për “përgjimin” e aplikacioneve të palëve të treta në smartfonët e përdoruesve të saj në mënyrë që tu ofrojë atyre një përmbajtje më të personalizuar duke përfshirë këtu dhe adresat.


Ky opsion do të lejojë kompaninë të shohë se cilat janë aplikacionet e tjera që përdoruesit kanë instaluar në telefonin e tyre ose në pajisjet e tjera si tableta etj.


“Për t’ju ofruar një eksperiencë më të personalizuar në Twitter, ne do të ndërtojmë dhe përditësojmë vazhdimisht listën e aplikacioneve që ju keni në smartfonët tuaj në mënyrë që t’ju paraqesim një përmbajtje më me interes për ju”, shkroi kompania në faqen e saj zyrtare.


Në këtë postim u paraqitën gjithashtu instruksionet për ta fikur këtë opsion. Twitter, shërbimi kryesor i të cilit është publikimi i mesazheve të shkurtra deri në 140 karaktere, është duke kërkuar mënyra të reja për të rritur kënaqësinë e përdoruesve të saj dhe numrin e tyre. Si pjesë e kësaj thuhet se Twitter ka në plan të ndërtojë disa aplikacione të reja krahas aplikacionit të saj kryesor por kjo gjë akoma nuk është konfirmuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb