GJERMANI- Ka përfunduar takimi i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me kancelaren gjermane Angela Merkel. Duke iu referuar burimeve zyrtare, gazetarja Marsela Karapanço raportoi për “BalkanWeb” se takimi ka qenë me nota shumë pozitive dhe se kancelarja Merkel është shprehur optimiste për integrimin e Shqipërisë.
Pas takimit Rama dhe Merkel kanë zhvilluar një konferencë për mediat. Merkel ka përgëzuar Ramën për arritjet e vendit. Sipas saj, Shqipëria që nga takimi i parë me Ramën ka bërë arritje të mëdha.
“Kemi një marrëdhënie të ngushtë bilaterale. Rekomandimi i KE do diskutohet në qershor. Ka disa parakushte për të nisur negociatat. Shqipëria ka punuar fort në disa fusha. Javët e ardhshme do të japim opinionin përfundimtar”, ka deklaruar kancelarja gjermane në konferencë.
Ajo ka theksuar se takimi ishte me rëndësi për të duke garantuar mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë. Merkel inkurajoi vijimin e vettingut.
“Takimi i sotëm është shumë i rëndësishëm për mua. Do vazhdojmë të mbështesim reformat në Shqipëri.
Shqipëria ka bërë përparim në zbatimin e reformave. Vettingu forcon sistemin ligjor dhe do të zgjerohet edhe në polici. Inkurajoj Kryeministrin të vazhdojë në këtë rrugë. Folëm për luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit”, tha ndër të tjera Merkel.
Nga e tij kryeministri Rama ka falënderuar kancelaren Merkel për mbështetjen por ka theksuar se rekomandimi i Komisionit Europian nuk kishte parakushte. Ai tha se shpreson që të ketë mbështetjen e Gjermanisë.
“Falenderoj Merkel për mbështetjen për integrimim. Procesi i Berlinit ka transformuar rajonin. Kemi bërë progres të pabesueshëm në disa fusha. Sot jam krenar për nisjen e reformës në drejtësi. Kemi rezultate inkurajuese nga vettingu në drejtësi. Rekomandimi i KE ishte pa parakushte. Shpresoj shumë të kem mbështetjen e Gjermanisë”, ka thënë kryeministri Rama.
Gjermania është nga vendet me më shumë skeptikë për sa i përket hapjes së negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Vizita e kryeministrit Rama i shërben qëllimit për bindjen e këtij vendi themelues të BE-së për një notë pozitive në qershor kur pritet edhe hapja e negociatave.
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Deutsche Welle deklaroi se Shqipërinë i ka përmbushur të gjitha detyrat e saj sa i takon fazës për çeljen e negociatave. Teksa nuk përjashton ndonjë surprizë të pakëndshme, Rama thotë se kjo lidhet më shumë me qëndrimet politike të BE-së sesa progresin e Shqipërisë.
Po ashtu kreu i qeverisë, gjatë vizitës së tij në Gjermani, tha se shpreson që Shqipëria mos të bëhet ‘kokë turku’ për të avancuar në axhenda që s’kanë të bëjnë me detyrat. Rama tha se rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë nuk duhet lexuar si hapje e negociatave.
(m.k/BalkanWeb)