Vietnamezja Doan Thi Huong, kundër të cilës në Malajzi zhvillohet proces gjyqësor për vrasjen e Kim Jong-nam, gjysëm-vëllait të udhëheqësit verikorean Kim Jong-un, do të lirohet në maj të këtij viti, deklaroi avokati i saj.

“Sipas informacioneve që kemi marrë nga zyrtarët e burgut, Houng do të lirohet në seancën e caktuar më 3 maj”, ka thënë avokati i të akuzuarës.

Gjykata në Malajzi në fillim të marsit liroi indonezianen Siti Aisyah, e cila gjithashtu ishte e dyshuar për vrasjen e Kim Jong-nam, i cili u vra në shkurt të vitit 2017 në Kuala Lumpur.

Aisyah fillimisht ngarkohej se më 13 shkurt 2017 me helmin VX vrau Kim Jong-nam në aeroportin ndërkombëtar në Kuala Lumpur.

Gjykata solli vendim për lirimin e saj pasiqë Prokuroria hodhi poshtë akuzat ndërsa 27-vjeçarja Siti Aisyah kaloi dy vite në paraburgim.

Aisyah dhe Huong u arrestuan pasi në xhirimet e kamerave të survejimit u panë duke iu afruar Kim Jong-nam dhe kontaktojnë me të. Pak më pas disidenti verikorean vdiq.

Aisyah gjatë mbrojtjes tha se ishte afruar pasi disa japonezë apo koreanë i kanë ofruar 90 dollarë për pjesëmarrje në kamerë të fshehur e cila do të emetohej në televizion.

Ekspertët e forenzikës në trupin dhe nën thonjët e Aisyah nuk gjetën gjurmë të substancës kimike VX, për dallim të Houng, tek e cila u gjetën gjurmë të tilla.

Kim Jong-nam ishte vëllai i madh i udhëheqësit verikorean Kim Jong-un. Në Korenë e Veriut ai nuk kishte asnjë titull, pasiqë kishte lindur nga një marrëdhënie jashtë martesore të ish-liderit të Koresë së Veriut me aktoren Sung Hae-rim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb