KORÇË-Gjykata e Korçës ka dhënë sot vendimet për 7 të arratisurit nga burgu i Drenovës. Gjykata ka dënuar me 25 vite burg Admir Tafilin dhe 15 vite burg Gëzim Gurin. Edhe Fran Marashi ëhstë dënuar me 25 vite burg ndërsa Artur Gora 2,5 vite. Gjyakata ka dhënë vendimin edhe për grupin e bashkëpunëtorëve. Olsi Maci është dënuar me 13 vite burg, dhe Ervis Lami me 19. Alfred Qefalia dhe Bledian Deda kanë marrë dënimin me 16 vite burg.

Më herët Prokuroria, duke e quajtur planin e arratisjes nga Burgu i Drenovës të mirëorganizuar ka kërkuar shpalljen fajtorë dhe dënimin e tyre me 135 vite burg për 7 të dënuarit ne akuzë për arratinë e 23 nëntorit të vitit 2013. Vrasjet e punonjësve të Policisë, në ngjarje që datojnë nga viti i trazirave 1997 e deri në vitin e kaluar bashkojnë gjashtë prej të arratisurve. Për disa prej tyre, arratia nuk ishte “rrugë e pashkelur”, pasi e kishin tentuar atë edhe më parë. I vetmi që e kishte finalizuar, ishte i dënuari Admir Tafili. Po ashtu, ata nuk kanë qenë të rinj edhe në bashkëpunimin mes tyre. Fran Marashi ka bashkëpunuar me Gëzim Gurin në një tentativë arratie, e cila ka dështuar. Në vijim paraqiten historitë e disa të arratisurve, në lidhje me veprat penale për të cilat po vuanin dënimin e fajësisë.

ADMIR TAFILI

Admir Tafili, 38 vjeç, i lindur në Shkodër, është duke vuajtur një dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy vëllezërve të ish¬shefit të Policisë së Malësisë së Madhe, në shenjë hakmarrjeje. Pikënisja e problemeve të tij me drejtësinë daton në vitin 2000, kur policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e babait të tij, Bahri Tafilit. Në këtë operacion, nga shkëmbimi i zjarrit mbetën të vrarë ishkomisar Arben Zylyftari dhe Bahri Tafili. Vite më vonë, Tafili u dënua me 22 vjet burg, në lidhje me plagosjen e shefit të krimeve të Malësisë së Madhe, Prel Pjetrushajt në vitin 2001. Teksa po vuante këtë dënim, në vitin 2010, Tafili realizoi arratisjen e tij të parë. Në tetor të vitit 2010, teksa ishte duke vuajtur dënimin në burgun e Shënkollit të Lezhës, ai përfitoi tetë orë leje për të vizituar nënën e tij të sëmurë. Gjatë kësaj vizite, ai u arratis. Tafili qëndroi pesë muaj i fshehur, derisa vuri në jetë planin për ekzekutimin e vëllezërve Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, vëllezër të ishshefit Prel Pejtrushi. Ai u ndalua nga policia në mars të vitit 2012, në Tiranë, pranë zonës së “Freskut”. Në lidhje me vrasjen e vëllezërve Pjetrushi, në korrik të vitit 2012 Admir Tafili u dënua me burgim të përjetshëm.

FAN MARASHI
Fran Marashi, i lindur 1978 në Shkodër, po vuante një dënim me burgim të përjetshëm për “vrasje” në lidhje me një nga ngjarjet më të rënda të trazirave të vitit 1997, të njohur si “masakra” e Urës Vajgurore. Në këtë ngjarje mbetën të vrarë katër punonjës Policie dhe u plagosën dy të tjerë. Ai u arrestua në Itali, prej nga u ekstradua në vitin 2007. Fran Marashi ka tentuar dy herë të tjera arratinë nga institucionet e vuajtjes së dënimit. Në vitin 2008 ai tentoi të arratisej nga burgu i Burrelit. Ai mundi të dalë jashtë burgut, duke sharruar hekurat e dritares së banjës, por u arrestua 30 minuta më vonë disa metra larg burgut. Përpjekja e tij e dytë e arratisë ishte në 21 shtator 2011, teksa tentoi të arratisej nga Burgu i Fushë¬Krujës. Së bashku me tre të dënuar të tjerë kanë dëmtuar murin e qelisë dhe kanë prerë kangjellat e një dritareje, por u pikasën nga rojet e sigurisë pa e finalizuar arratinë.

REIZ HAXHIRAJ
Në 29 maj 2001, Reiz Haxhiraj është dënuar me 13 vjet burg nga Gjykata e Apelit Vlorë. Ai është fajësuar si bashkautor në një ngjarje të vitit 1998 në fshatin Izvor, ku është rrëmbyer një inspektor policie dhe është plagosur vëllai i tij. Haxhiraj është arrestuar në vitin 2011, plot 13 vjet pas ngjarjes për të cilën u deklarua fajtor.

ARTUR GORA
Artur Gora, i lindur në 1969¬n, ndodhej në ambientet e Burgut të Drenovës, në zbatim të vuajtjes së një dënimi me burgim të përjetshëm, dhënë ndaj tij në vitin 2003. Ai është deklaruar i fajshëm për akuzën e “vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” dhe për “armëmbajtje pa leje”.

GËZIM GURI
Gëzim Guri po vuante një dënim me burgim të përjetshëm. Ai është deklaruar i fajshëm për akuzën e “vrasjes”, një ngjarje e shënuar në qytetin e Shkodrës.

GËZIM TOMA
Ndaj të arratisurit Gëzim Toma, lindur në vitin 1982 në Dibër, rëndon një dënim për akuzën e “vrasjes”.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb