GREQI
Identifikohen 2 nga 4 shqiptarët e arratisur nga burgu, në Greqi. Dy prej të arratisurve nga burgu, mësohet të jenë Endrit Canaj e Xhelo Hasani. 4 të burgosurit shqiptarë u arratisën nga burgu Petru Rali në Athinë.
Sipas gazetarit Panajotis Vlahucakos, shqiptarët e arratisur nga burgu grek, kanë qenë të dënuar për vjedhje dhe kërcënim për vrasje.
Sot në orën 04.00 të mëngjesit 4 shqiptarë të vendosur përkohësisht në burgun e transferimit janë arratisur, pasi pak ditë më parë ishin implikuar në episode të dhunshme në burgun Koridhalos. Ata fillimisht kanë thirrur rojet për ndihmë kur një prej tyre u shtri në shesh dhe bënte të sëmurin.
Sapo rojet hynë në qeli, i kërcënuan me thikë të improvizuar, u morën armët dhe celularët dhe i mbyllën brenda. Më pas zbritën në katin e parë, ku kërcënuan një tjetër polic që ndodhej në makinën e transferimit, morën makinën dhe u drejtuan në hyrjen e burgut ku përsëri kërcënuan me armë rojen.
Bëhet e ditur se të arratisurit morën armë dhe celularë, të cilat u përdorën në shkëmbim zjarri, pa të plagosur. Të arratisurit braktisën makinën e policisë pak metra larg burgut dhe u larguan në drejtim të panjohur. Në operacionin masiv policor përdoren dhe helikopterë që mbulojnë nga orët e para të mëngjesit gjithë Athinën.
(Balkan Web)