BalkanWeb zbardh detaje të reja nga operacioni me urdhër të SPAK në Elbasan. Mësohet se në pranga kanë rënë edhe ish-gjyqtarët Pajtime Fetahu e Zihni Shahu. Ky i fundit ka qenë kryetar i Gjykatës së Elbasanit, por u largua nga sistemi pasi nisi procesi i Vettingut në vitin 2020. Shahu dha dorëheqjen 7 muaj pasi kishte nisur procesi i kalimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në filtrat e pasurisë dhe aftësive profesionale.
Në vendimin e bërë publik 4 vjet më parë, KPK bëri të ditur se ndaj ish-gjyqtarit ndërpritej procesi i Vettingut, ndërsa Komisioni e sanksionoi që t’i ndalohej të ishte pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vjet. Pas operacionit të 31 korrikut të këtij viti ndaj organizatës Çopja, Shahu nuk kishte ndonjë masë sigurie, ndryshe nga Fetahu në “arrest shtëpie”, por duket se emri i tij ka dalë nga hetimet e thelluara të përgjimeve të dosjes SKY ECC. Edhe ish-kryegjyqtari i Elbasanit, akuzohet nga SPAK për dosjen e organizatës “Çopja” në Elbasan.
Burime për News24 bëjnë me dije se janë ushtruar kontrolle në disa biznese të mëdha në Elbasan, si dhe në banesat e familjarëve të personave të implikuar në ngjarje të mëdha kriminale. Mes bizneseve të kontrolluara janë edhe ato të Suel Çelës i njohur edhe si Marjus Lulaj.
Suel Çela u shpall në kërkim në maj të vitit 2022 në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” të organizuar nga SPAK. Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit ai është porositës i tre ngjarjeve 2 të parealizuara dhe 1 e mbetur në tentativë. Suel Çela akuzohet se ka porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës, që do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, por i cili mbeti i plagosur rrugës dhe më pas u arrestua.
(BalkanWeb)