Policia e Gjirokastrës ka arrestuar sot ish-drejtorin e Agjencisë së Mirëqenies dhe Kujdesit Social, Armand Mamanin, pasi akuzohet për shpërdorim detyre, teksa ka favorizuar dy të afërme të tij për vjedhjen e energjisë elektrike.

Së bashku me të, policia ka arrestuar edhe të afërmen e tij, Violeta Baholli, ndërsa ka shpallur në kërkim 53-vjeçaren E. Zh. Armand Mamani akuzohet se iu ka dhënë energji nga zyrat e bashkisë dy të afërmeve të tij.

Por, kush është ish-drejtori i arrestuar?
Armand Mamani rezulton se ka qenë një drejtues i rëndësishëm në Gjirokastër. Mamani ka mbajtur poste të larta në Gjirokastër. Ai ka qenë drejtor i Agjencisë së Shërbimit dhe Mirëmbajtjes në Bashkinë e Gjirokastrës.

Gjithashtu, Mamani ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Spitalit Rajonal të Gjirokastrës. Ai u shkarkua si drejtor në bashki pas një raporti auditi të brendshëm, në të cilin ishin konstatuar shkelje të rënda në detyrë.

Ndërkohë, Mamani ka rezultuar me probleme edhe kur ka qenë drejtor i spitalit. Në një tjetër raport auditi të kryer nga Ministria e Shëndetësisë në atë kohë, ishte konstatuar se Mamani kishte abuzuar me fondet publike të spitalit, por që i kishte shpëtuar drejtësisë.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb