(ne perditesim)RROGOZHINE – Një 52-vjeçar, i arrestuar në muajin tetor për shkak të abuzimeve me energjinë elektrike, është gjetur i vetëvarur paraditen e sotme në burgun e Rrogozhinës.

Mësohet se 52-vjeçari Qamil Zela, nga Lushnja, është vetëvarur me një shall në burg, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Ai u arrestua nga policia pasi ishte pronar i një banese dykatëshe, të cilën e furnizonte me energji nga një matës i vetëm dhe rezultonte debitor.

Familjarët e 52-vjeçarit deklaruan për “News24” se Zela u arrestua pak ditë më parë, për shkak të një debie prej 35 mijë lekësh të vjetra që kishte ndaj OSHEE-së. Ata thonë se familjari i tyre kishte rënë prej ditësh në depresion porse asnjë masë nuk u mor nga shteti. Trupi i Qamil Zelës është transportuar në morgun e Tiranës. Familja shprehet se, nuk do të tërheqë të ndjerin pa marrë sqarime për ngjarjen.

“U akuzua për vjedhje abuzive të energjisë elektrike. Për 35 mijë lekë të vjetra bëhet fjalë, dhe për dëmin ekonomik që i ka shkaktuar shtetit kjo shumë. Tani mbahesh padrejtësisht 2 muaj brenda në burg. pastaj na njoftojnë, na marrin në telefon, na thonë, hajde merreni se e keni në morg. Ka varur veten. Unë nuk e kuptoj. Kush e mban këtë përgjegjësi tani? Qamili para disa ditësh kishte kaluar në depresion, dhe këtë e di gjithë burgu ku ndodhet, gjithë policët, gjithë të burgosurit dhe nuk ka marrë masa askush për këtë. Ne nuk e tërheqim kufomën derisa shteti të na sqarojë cfarë ndodhi me familjarin tonë”.

“E prisnim të hanim Vitin e Ri bashkë në shtëpi, por nuk erdhi më. Ishim gati të paguanim dhe 350 mijë lekë jo 35 mijë lekë të vjetra, që atë ditë që e morën në burg. Nuk donin, prokurori rrinte përjashta dhe nuk pranoi. E morën në burg”.

Rama: NUK HYN ASKUSH NE BURG QE I KA BORXH OSSHE-së, POR KUSH VJEDH DENOHET 3-5 vite

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar gjatë orëve të pasdites mbi akuzat e opozitës për vetëvarjen në burgun e Rrogozhinës të një 52-vjeçari të arrestuar për vjedhjen e energjisë. Rama ka shkruar në faqen e tij zyrtare të Facebook se, nuk hyn askush në burg për borxhe ndaj OSSHE-s, por ata që kapen duke vjedhur energjinë.

Kryeministri Rama ka publikuar edhe dy dokumenta, atë të arrestimit të 52-vjeçarit Qamil Zela dhe vendimin e Gjykatës.

“U thanë që ishte në burg për 35 mijë lekë të vjetra apo jo? Shikojini këto dy dokumenta që ta kuptoni kollaj fare se ç’është politika e hienave! Nuk hyn askush në burg për borxhe ndaj OSSHE-së, kush ka borxhe lidh marrëveshjen me kompaninë ose i ndërpriten dritat. Në burg, sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, shkojnë 3-5 vjet vetëm ata që kapen duke e vjedhur energjinë”, ka shkruar Rama.

“Prandaj kush këtu ha symbyllur bar Shqupi të vaditur me lot krokodili, nuk i shet dot kujt as mend e as moral jo e jo!”, ka ironizuar kryeministri.

MINISTRIA E DREJTËSISË
Ministria e Drejtësisë ka reaguar menjëherë mbi ngjarjen në burgun e Rrogozhinës duke sqaruar se Qamil Zelës i është dhënë ndihma e parë në burg, porse i ndjeri nuk ia ka dalë dot.
“Në IEVP e Rrogozhinës u vetëvar i paraburgosuri Q.Z. Shtetasi Q.Z ka shfaqur shqetësime depresive dhe është trajtuar me medikamente në institucion. Personit i është dhënë ndihma e parë në Rrogozhinë”.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ministri Nasip Naco i drejton ngushëllime familjes Zela për humbjen e të dashurit të tyre.
“Në datën 28.12.2014, ora 03:00, shtetasi Q.Z, 50 vjeç, i paraburgosur në IEVP Rrogozhinë, ka kryer vetëvrasje në mjediset e institucionit.

Nga ana e stafit mjekësor të institucionit sqarohet, se shtetasi Q.Z është trajtuar me medikamente për çrregullime depresive që në momentin e pranimit në institucion, duke u kryer të gjitha veprimet konform ligjit dhe rregullores.

Stafi i sigurisë ka ndërhyrë menjëherë, ndërsa të paraburgosurit i është ofruar ndihma e parë në institucion dhe është dërguar gjallë në spitalin e Rrogozhinës, por atje nuk ka mundur të mbijetojë.

Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço shpreh ngushëllimet për familjen e të ndjerit, ndërsa bën apel se askush nuk duhet të fitojë kredo personale apo “të rritet” si politikan duke kërkuar të shfrytëzojë fatkeqësinë njerëzore”, citon njoftimi per shtyp i Ministrise se Drejtesise.

MPB: JA PËRSE U ARRESTUA QAMIL ZELA

Ministria e Punëve të Brendshme sqaron se 52-vjeçari Qamil Zela, i cili u vetëvar sot në burgun e Rrogozhinës, u arrestua pasi u kap me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në një njoftim për mediat, MPB bën të ditur se “gjatë kontrollit të ushtruar nga grupet e përbashkëta të OSHEE dhe Policisë së Shtetit ka rezultuar se shtetasi Qamil Zeka furnizonte me energji elektrike dy biznese në pronësi të tij (një Fast Food dhe një sallë interneti), pa matësa të energjisë, por duke i lidhur me banesën e tij me kontratë familjare. Të dy dyqanet u gjetën të hapura dhe në gjendje pune dhe të papajisura me matësa energjie”.

Sipas MPB-së, gjykata e rrethit gjyqësor Lushnje ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit Qamil Zela dhe ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

“Duke shprehur keqardhjen për humbjen tragjike të jetës së një shtetasi në burgun e Rrogozhinës sqaron opinionin publik se Policia e Shtetit nuk ka arrestuar asnjë person për detyrime të papaguara ndaj OSHEE, por vetëm për vjedhje të energjisë përmes lidhjeve apo rilidhjeve të paligjshme. Ritheksojmë se asnjë shtetas nuk i nënshtrohet procedimit penal si debitor, por vetëm shtetasit që vjedhin energjinë elektrike, duke konsumuar veprat penale të parashikuara nga Kodi Penal. Ministria e Punëve të Brendshme siguron opinionin publik se Policia e Shtetit do të vijojë të zbatojë vetëm ligjin pa shkelur asnjë të drejtë themelore të shtetasve dhe nga ana tjetër fton opozitën të mos bëjë politikë kukuvajkash me ngjarjet e ditës. Përkrahja e paligjshmërisë nuk është rruga për përfitim politik.”- thekson MPB.

OSHEE: ASKUSH NUK ARRESTOHET PËR BORXHET, POR PËR VJEDHJE ENERGJIE

Pas ngjarjes në burgun e Rrogozhinës, ku u vetëvar një 52-vjeçar i arrestuar për abuzim me energjinë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike akuzon Partinë Demokratike se po përdor ngjarjen e rëndë për të nxjerrë përfitime politike. Në një deklaratë të shpërndarë për media, OSHEE thekson se 52-vjeçari Zela nuk është ndaluar për një debi 35 mijë lekë të vjetra, por për vjedhje të energjisë.

“Duke shprehur keqardhjen e thellë për tragjedinë njerëzore të një të burgosuri në Lushnje, OSHEE hedh poshtë me përbuzje abuzimin monstruoz të disa politikanëve që duan të nxjerrin përfitime vetjake dhe partiake nga kjo ngjarje e rëndë. Eshtë e papranueshme dhe e pajustifikueshme që edhe vetë kryetari i Partisë Demokratike të bëhet pjesë e këtij abuzimi të turpshëm, duke gënjyer haptaz opinionin përmes një shpifjeje të madhe. Jo vetëm që individi në fjalë nuk është ndaluar për një debi 35 mijë lekë të vjetra, po nuk ka asnjë rast ku konsumatorët e energjisë të ndalohen dhe procedohen penalisht për borxhet ndaj OSHEE. Çdo ndalim dhe heqje lirie me burg e konsumatorëve të energjisë elektrike lidhet vetëm me veprën penale të vjedhjes së energjisë përmes lidhjeve apo rilidhjeve të paligjshme. Në këtë drejtim, as OSHEE dhe asnjë institucion tjetër, deri te gjykata, nuk kanë të drejtë të bëjnë interpretime apo tolerime të asnjë natyre, të cilat ndalohen rreptësisht nga Kodi Penal. Vjedhja e energjisë është krim dhe dënohet me burg nga 3 deri ne 5 vjet. OSHEE i bën edhe njëherë thirrje Partisë Demokratike që të mos bëhet mburojë e vjedhësve të energjisë dhe të mos pengojë me propagande antiligjore dhe shpifje të vazhdueshme përpjekjen për nxjerrjen e sistemit te furnizimit me energji nga agonia, ku u fut kompania për shkak të një politike dritëshkurtër antikombëtare.”- thekson OSHEE.

“OSHEE i falenderon të gjithë ata dhjetëra mijëra qytetarë që gjatë tetorit, nëntorit dhe dhjetorit, kanë lidhur e po vazhdojnë të lidhin kontrata të rregullta për furnizimin me energji dhe i fton të gjithë debitorët të përfitojnë nga mundësia për t’i ulur kamatëvonesat në 80% deri në 28 shkurt. Po ashtu OSHEE i siguron klientët e saj se me vetëdije të plotë për rrjetin e amortizuar në vite dhe për vështirësitë që kjo gjendje e trashëguar e rrjetit u shkakton qytetarëve në zona të ndryshme, duke sjellë ndërprerje të energjisë, kompania po punon pa orar për të qenë e gatshme në kohë reale që t’i përgjigjet ankesave të drejta të qytetarëve.”- përfundon deklarata e OSHEE-së.

(er.nu/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: