Gjykata e Fieri lë në burg 2 policët , kryetarin e fshatit Cakran dhe 5 persona të tjerë, të cilët u arrestuan me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe kultivim të lëndëve narkotike.
Gazetari Ervis Kuçi raporton për “Balkanweb” se arrestimet e punonjësve të policisë dhe 5 personave të tjerë u realizuan pas një hetimi të prokurorisë dhe policisë së Fierit.
Të akuzuarit kanë dalë para togave të zeza në orën 10:30 të paradites së sotme ku nga avokatët e tyre është kërkuar jo “arrest me burg” por detyrim paraqitje por që nuk është pranuar nga organi i akuzës dhe i gjyqësorit Fier duke lënë në burg të akuzuarit për të vijuar me seanca të tjera deri në dhënien e vendimit.
Ngjarja
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit arrestojnë 2 punonjës policie dhe 5 shtetas të tjerë.
SHÇBA, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, në bazë të detyrimeve që rrjedhin nga Plani i Veprimit të MB për luftën kundër kultivimit të kanabisit, finalizuan me sukses operacionin “Cakrani 2019” për evidentimin dhe asgjësimin e disa parcelave të mbjella me bimë narkotike dhe kapjen e autorëve të tyre.
Ky operacion u zhvillua në kuadër të hetimeve të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2019, për veprën penale “Shpërdorim detyre“ dhe “Kultivim i bimëve narkotike” të parashikuara nga nenet 248 dhe 283 të Kodit Penal, hetim ky disa mujor në të cilin u aplikuan metodat speciale të hetimit.
Gjatë këtij operacioni u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, datë 04.07.2019 për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” ndaj shtetasve:
- G.B., 48 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Kraps, Fier, me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Fier;
- Z.K., 57 vjeç, lindur dhe banues në Buzëmadh, Fier, me detyrë Agjent i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Fier;
- B.Xh., 62 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Kryeplak i fshatit Cakran, Fier;
- G.M., 49 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier;
- I.M., 39 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier;
- E.Sh., 50 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier;
- A.K., 25 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran Fier.
Është shpallur në kërkim shtetasi F.C., 68 vjeç, lindur dhe banues në Cakran, Njësia Administrative Cakran, Fier.
Arrestimi i dy punonjësve të policisë u bë pasi duke shpërdorur detyrën dyshohet se kanë favorizuar banorë të ndryshëm të këtyre fshatrave për kultivimin e bimëve narkotike, në këmbim të përfitimeve financiare. Në këtë veprimtari kriminale dyshohet se është implikuar edhe Kryeplaku në Njësinë Administrative Cakran, B.Xh., ndaj të cilit u vendos masa e sigurisë, “Arrest me burg”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur evidentimi i 3 parcelave të mbjella me rreth 300 rrënjë bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa në zonën e Cakranit, si edhe gropa të hapura për mbjelljen e tyre. Gjithashtu, në vendin e quajtur “Liqeni i Cakranit”, u evidentuan parcela të vogla me 30-50 rrënjë.
Gjatë kontrollit të banesave ndaj shtetasve të mësipërm u evidentuan edhe disa kubikë të mbjella me lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Operacioni vijon për kontrollin plotë të territorit.
Të arrestuarit:
Gramoz Behari
Zyhni Kapllanaj
Bardhyl Xhafa
Gramoz Musaraj
Isuf Musaraj
Armand Korcari
Feti Canaj
(d.xh/ Balkanweb)