TIRANE – Mario, një vogëlush me sindromën Down është braktisur nga familja e tij biologjike, por fatmirësisht gjeti një tjetër që e mikpriti. Sëmundja e djalit të mitur nuk është bërë pengesë që të adoptohet nga një familje amerikane, për të nisur kështu një jetë të re në SHBA. Vogëlushi shqiptar ishte braktisur në një jetimore të Elbasanit, por shumë shpejt një familje nga SHBA ka zgjedhur që të bëjë pjesë të saj Marion e vogël dhe ardhmja e tij në atë shtet do të jetë me e bukur për shkak të mundësive që ai vend ofron, veçanërisht për fëmijë të veçantë si Mario.

Lajmin e ka bërë publik Fondacioni “Down Syndrome Albania”, i cili ka njoftuar për këtë gjest human të familjes amerikane: “Nuk ka gjest me human se sa të adoptosh një fëmijë të braktisur, e kur një familje zgjedh që të adoptojë një fëmijë me sindromën Down, gjesti ka prekur majat e humanizmit. Mario i vogël ishte braktisur në një jetimore të Elbasanit. Por shume shpejt fati i ka buzëqeshur atij dhe kjo familje simpatike nga SHBA, ka zgjedhur pikërisht Marion për ta pasur në gjirin e familjes së tyre, duke i dhënë kështu atij një mundësi për të pasur një familje në një shtet ku ofron shumë më shumë se vendi ynë për të ardhmen e tij. Ne patën fatin të njihemi me këtë familje kur ata para se te nisen për në USA, u paraqiten pranë DSA për të bërë një vlerësim të zhvillimit të Mario bukuroshit”, thuhet në faqen e “Facebook” të këtij fondacioni.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb