TIRANE

Ndonëse i shpëtoi dënimit me 20 vite burg për vrasje, duke korruptuar gjyqtarin Shkëlqim Miri, Gjykata ka kthyer në qeli Gentian Dodën. Ditën e sotme, 3 ditë pas ekstradimit të tij nga Anglia, Doda u njoh sot me masën e sigurisë “arrest ne burg” në Gjykatën për Krimet e Rënda.

Ai akuzohet për korruptimin me 30 mijë euro të gjyqtarit të Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri.

Sipas prokurorisë, kundrejt ryshfetit, gjyqtari Miri la në fuqi vendimin, duke ndryshuar një dënim te mëparshëm ndaj Dodës nga “vrasje” në “plagosje të rëndë”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Gentian Doda në bashkëpunim me shtetas të tjerë i ka dhënë një shumë prej 30.000 eurosh gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë Shkëlqim Mirit, me qëllim lehtësimin e pozitave të tij dhe lirimin nga burgu për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, e cila me vendimin penal nr. 41, datë 26.01.2001 e kishte dënuar këtë shtetas me 20 vjet burgim për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.

Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin penal nr. 896, datë 07.06.2017 ka vendosur lënien në fuqi të vendimin penal nr. 94, datë 20.09.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, duke favorizuar pozitën e shtetasit G. D. dhe lirimin e tij nga burgu. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Manchester, u bë i mundur arrestimi i tij në Mbretërinë e Bashkuar, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Akuza per vrasje dhe per ryshfet
Krahas procesit në Gjykatën e Lartë, e cila do të vendosë nëse do ta rikthejë sërish në burg Gentian Dodën, për vrasjen e dyfishtë të kryer në qytetin e Burrelit në 1997, i shumëkërkuari ka një tjetër hesap të pambyllur me Krimet e Rënda, ku po gjykohet për akuzën e korrupsionit. Ai dyshohet se pagoi ryshfet shumën prej 20 mijë eurosh gjyqtarit të Apelit, Shkëlqim Miri, i cili i lehtësoi akuzën e në këtë mënyrë, Doda rifitoi lirinë.

Gentian Doda u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2012, pasi u arrestua atje për llogari të autoriteteve shqiptare. Ai akuzohej për vrasjen e Gazmir Dedjas dhe Asllan Gjokës, në tetor të 1997. Pas një kalvari të gjatë përballjesh gjyqësore, që nga 2001, i shumëpërfoluri i botës së krimit, u dënua me 20 vite burgim. Teksa ndodhej në burgim e Fushë Krujës, ai kërkoi rishikimin e vendimit me argumentin se ishte dënuar në mungesë.

Nga gjykata e Lartë dosja mbërriti në shkallën e Parë në Mat. Një treshe gjykuese vendosi të lehtësojë pozitën e të dënuarit, duke bërë rikualifikim të veprës penale, nga vrasje në plagosje të rëndë me dashje. Hetimet e nisura në 2017, nxorën në dritë faktin se gjyqtari Shkëlqim Miri kishte marrë ryshfet, për të vendosur në favor të Dodës, i cili u shpall fajtor për akuzën e plagosjes dhe dënimi iu reduktua ndjeshëm. Pas verdiktit të Apelit, Gentian Doda rifitoi lirinë. Ai mundi të arratisej jashtë vendit, ndërsa në Shqipëri u arrestua gjyqtari dhe të afërm e miq të të dënuarit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: