Sulmuesi që ka luajtur për Real Madrid, Joselu, u shpreh i lumtur, pasi u grumbullua nga Spanja.

“Ndihem shumë i lumtur që jam kthyer këtu dhe besimin që trajneri ka treguar ndaj meje që kur erdhi. Nuk mund të ndihesha më mirë. Kombëtarja është një familje dhe ne duam të vazhdojmë të fitojmë. Është shumë bukur të jesh pjesë e një projekti si ky”.

A prisni të luani në Serbi, duke pasur parasysh mungesën e Morata?
Unë jam këtu për të ndihmuar, trajneri mund të më llogarisë për çdo gjë. Jam i përgatitur. Nëse skuadra ka nevojë për mua, natyrisht do të jap gjithçka.

A mendoni se mund të arrini në Kupën e Botës në SHBA?
Kanë mbetur ende dy vite deri atje, çka është një kohë e gjatë në futboll. Për momentin ndihem shumë mirë si fizikisht, ashtu edhe mendërisht, gati për të dhënë më të mirën time për këtë kombëtare. Është shumë herët për të folur për Botërorin 2026, i cili duhet të jetë diçka e mrekullueshme. Ajo që nuk duhet të humbasim është shpresa. Nëse tri vite më parë do të më kishin thënë se do të kisha fituar një Ligë të Kampionëve dhe një Kampionat Evropian, nuk do ta kisha besuar, por në futboll asgjë nuk është e pamundur.

Çfarë mendon Joselu nga Katari kur lexon se Mbappe është bllokuar, sepse nuk shënon?
Unë nuk i kushtoj shumë vëmendje kësaj, me të vërtetë. E di se çfarë është Real Madrid, e njoh mirë edhe Mbappe, për mua nuk ka dyshime. Mbappé është si një shishe ‘ketchup’-i. Në fillim e shtyp dhe nuk del gjë, por më pas e gjithë salca del me një shkundje. Kylian tashmë ka shënuar dy gola kundër Betisit dhe do të vazhdojë të shënojë në Madrid.

Për këtë vit, një nga lojtarët e Real Madridit do të mund ta fitojë ‘Topin e Artë’…
Për mendimin tim janë katër kandidatë: Carvajal, Bellingham, Vinicius dhe Mbappé. Do t’ia jepja Carvajal, pa hezitim. Ai fitoi të gjithë titujt sezonin e kaluar, e filloi edhe këtë sezon duke fituar Superkupën e Europës. Ai gjithashtu fitoi Europianin, një kompeticion në të cilin shënoi, si edhe në finalen e Ligës së Kampionëve. Mendoj se duhet t’iu kushtojmë vëmendje edhe mbrojtësve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb