TIRANË- Detaje të tjera zbardhen nga vdekja e të moshuarit Hekuran Zeqo, i cili u gjet sot i vdekur dhe i prerë në fyt poshtë urës së Lanës tek zona e Brrylit në Tiranë.

Sipas dëshmive të familjarëve në polici, 71-vjeçari Zeqo jetonte me bashkëshorten e tij në një pallat tek “Xhamlliku”. Mësohet se viktima pak ditë më parë kishte patur një konflikt me disa banorë të pallatit të cilët i kanë kërkuar të hiqte depozitën e ujit në tarracë.

Pasi nuk kanë gjetur mirëkuptim, banorët kishin njoftuar Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Vendor, të cilët i kanë lënë afat 1 muaj për të hequr depozitën.

Familjarët e të ndjerit kanë thënë se ky problem ka shkaktuar stres tek 71-vjeçari, i cili më pas dyshohet se ka ndërmarrë aktin ekstrem të vetëvrasjes.

Sipas këqyrjes paraprake, Hekuran Zeqo ka ndërruar jetë rreth mesnatës pasi trupi ishte shume i ftohtë në mëngjes. Ai është gjetur nga patrulla e komisariatit numër 4, i veshur me pantallona të zeza, xhaketë të zezë dhe këmishë të kuqe me kuadrate. Në xhep i është gjetur karta e identitetit si dhe portofoli, ndërsa në dorë mbante një thikë, me të cilën dyshohet se është vetëvrarë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: