TIRANË- Anxhela Meçani mbylli sytë një herë e përgjithmonë, ndërsa familjarët e saj janë ende të shokuar nga lajmi i kobshëm që kanë marrë.

Edhe pse në një ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë emsuioni “Me zemër të hapur” në News24 do të flasë për këtë ngjarje të rëndë për t’i dhënë sadopak ndihmë familjes se 20-vjecares nga Fieri që nuk kanë mundësi të tërheqin trupin e vajzës.

Babai i saj, Dritan Meçani thotë se ajo është larguar nga shtëpia me një djalë dhe më pas nuk është kthyer më asnjëherë. Nuk ka mundur dot të kthehet në shtëpi edhe ditën kur nëna e saj u largua nga jeta, rreth 6 muaj më parë.

ME ZEMER TE HAPUR

Dritan Meçani thotë se vajza ishte martuar me një shtetas italian, por nuk kishte dokumente që të mund të lëvizte lirisht. Pas lajmit tronditës në televizion dhe internet familja kërkon ndihmë që trupi të vijë në Shqipëri dhe të mund të shohin për herë të fundit bijën e tyre.

“Unë jetoj në një fshat të Gjirokastrës. Atë ditë që ndodhi ngjarja, shkova të mblidhja rigon. Fola në telefon me gjyshin e Anxhelës që më tha se ka ndodhur diçka, mblodha gjërat dhe ika në shtëpi. Më thotë vajza 14 vjeçe hajde shiko se çfarë është bërë. Shikoj telefonin…(qan) e pashë çfarë kishte ndodhur”, tregon mes lotësh Dritani.

Në datën 9 qershor Anxhela është hedhur nga një makinë në ecje e sipër në qytetin e Torinos ku dhe jetonte, vetëm një ditë më pas ajo ka ndërruar jetë në spital krejt e vetme. Vajzës i është gjetur një dokument identifikimi në rrobat që mbante veshur por edhe telefoni celular, të cilin e kanë sekuestruar tashmë hetuesit.

Babai i saj thotë se Anxhela kishte ikur për herë të parë në Itali verën e kaluar dhe ishte kthyer në dhjetor pasi ai kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale. Më pas kishte ikur dhe nuk kishte ardhur as për vdekjen e nënës në janar.

anxhela-mecani

“Ka ikur për herë të parë në Itali në gusht ose shtator të vitit të kaluar.
Kur mbërriti në Itali tha jam mirë, mos u bëni merak. Fliste një herë në 3 ditë, në 4 ditë, kishim komunikim të rregullt. Ajo ishte një vajzë shumë e qeshur. Nuk mbante zemëratë. Iku dhe erdhi në dhjetor. Erdhi në shtëpi me sjellje normale. Unë isha shumë sëmurë, nuk çohesha nga krevati se isha operuar për herë të dytë, kisha hequr një pjesë të madhe të stomakut. Anxhela më jepte kurajë”, tregon babai i 20-vjeçares, raporton “BalkanWeb”.

I pyetur nëse familja ka pasur dijeni se Anxhela ka qenë e martuar me një shtetas italian, babai i saj thotë se e dinin që kishte lidhur kurorë me një shtetas të madh në moshë.

“Po e dinim, po nuk kishim pasur kontakt. Anxhela na ka thënë vetë. Në janar pasi më vdiq gruaja, vajza nuk erdhi dot se nuk kishte bërë dokumentet. E më tha që do bënte kurorëzimin. E di që ishte i madh në moshë. Por nuk e dinim që ishte ndarë. Vajza një ditë para vrasjes më mori në telefon se tezja kishte sjellë disa gjëra në Gjirokastër por nuk dallova asgjë në zërin e saj”, rrëfen babai i Anxhelës.

Ai thotë se nuk di me kë të komunikojë që të tërheqë trupin e vajzës që siç thotë ai ta shohin për herë të fundit dhe ta përcjellin në banesën e fundit. Por gjatë emisionit, një kompani funeralesh në Durrës ka ofruar ndihmën e saj për të tërhequr trupin e vajzës dhe për ta sjellë në atdhe për t’u varrosur në Fier, në fshatin Baltëz pranë familjarëve.

ME ZEMER TE HAPUR32

Ndërkohë që mediat italiane ngrenë dyshime se 20-vjeçarja punonte si prostitutë, gjyshi i Anxhelës thotë se nuk e dinin që ishte në punë, por vetëm se jetonte me një burrë të madh në moshë, të cilit edhe i shërbente.
“Kohët e fundit e kishte marrë pak veten dhe më bëhej qejfi, se ishin në gjendje shumë të keqe ekonomike”, thotë gjyshi.

Ndërkaq ka ndërhyrë në emisionin “Me zemër të hapur”, avokatja për të drejtat ndërkombëtare Natasha Shehu, e cila ofroi mbështetje nga Italia, në bashkëpunim me zyrën e avokatit Idajet Beqiri që familja të marrë dëmshpërblim për atë çfarë i ka ndodhur Anxhelës.

“Anxhela është dhunuar në mënyrë barbare, është keqtrajtuar dhe është hedhur në rrugë. Nisur nga ligji për të drejtat e njeriut, familjarët e saj kanë të drejtë të ngrihen në proces dhe të kërkojnë shpërblim për dëmet e shkaktuara për vajzën dhe gjendjen e saj. Çdo e drejtë që i përket familjes në emër të Anxhelës nuk duhet të shkojë dëm”, tha avokatja Shehu.

MEDIAT ITALIANE
Mediat italiane duke raportuar ngjarjen e rëndë kanë dhënë detaje dhe informacione për Anxhelën dhe jetën që sipas dëshmive bënte në Torino. Referuar dokumenteve të saj të identifikimit Anxhela Meçani rezulton të ketë lindur në Fier më 1 mars 1998. Në Itali ka mbërritur kur ishte minorene. Zyrtarisht ajo banonte në Ravenna, në një apartament në mes të qendrës historike, pak hapa larg nga “Piazza del Popolo”.

Shkurtin e kaluar ajo ishte martuar, por pak muaj më vonë ishte larguar nga shtëpia dhe kishte humbur çdo lidhje me bashkëshortin e saj italian. Mediat italiane nuk e përjashtojnë mundësinë e gjetjes së një partneri tjetër.

Por prej disa javësh ajo ishte rishfaqur sërish në Torino. Që nga fillimi i muajit maj, vajzat që shesin trupin me 30 euro rreth zonës së Stupinidit e kujtojnë atë si “njëra prej të rejave” në atë zonë. Ka shumë gjasa që edhe mbrëmjen e së shtunës ajo të ishte në punë, kur makina i ndaloi tek këmbët dhe e ftoi brenda. Nga vendi ku qëndrojnë prostitutat deri në vendin ku është gjetur trupi i saj nuk është më larg se 2 kilometra.

Grupi hetimor ka dëgjuar dhe ri dëgjuar dëshmitarin që të shtunën (09 qershor) pak pas orës 02:00 dha alarmin. Ata po përpiqen të identifikojnë modelin dhe ngjyrën e makinës nisur nga dëshmia e këtij të fundit por edhe fotot e shkëputura nga telekamerat e zonës. Edhe pse nuk mund të flasin për një grup të strukturuar që menaxhonte vajzat e rrugës, dyshimet e tyre mbeten të forta pas fjalëve të mjekëve. Ata thonë se e reja përveç plagëve të marra nga përplasja në rrugë, kishte edhe shenja të tjera në trup. Është e sigurt që ajo është dhunuar e për t’i shpëtuar kthetrave ajo ka ndërmarrë aktin e rëndë, atë të vetëflijimit.

Mediat italiane thonë se ekspertiza mjeko-ligjore pritet të vihet në dispozicion të prokurorisë së Torinos që heton për vrasjen. Dosja i është besuar prokurores Livia Loçi. Kjo e fundit është duke pritur edhe zbardhjen e tabulateve telefonike, pasi ka dyshime të forta që mes numrave në telefonin e vajzës të jetë edhe ai i vrasësit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb