TIRANE

Emisioni ‘Me Zemër të Hapur’ në News24 ka bërë të mundur rikthimin në punë të 58-vjeçares Vitore Kiptiu nga fshati Plug i Lushnjës, e cila denoncoi largimin nga puna si sanitare në mënyrë të padrejtë në ish komunën Golem e cila sot është Njësia Administrative Golem, Lushnje. 58-vjeçaria ishte larguar nga puna pas 40 vitesh dhe tha se titullarët kanë gjetur një preteks ku i kanë akuzuar të birin për vjedhje të një dritareje të Njësisë Administrative kryer në bashkëpunim.

Kryetari i bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe solli shkresën të cilën e lexoi në emision moderatorja Evis Ahmeti për rikthimin e gruas në punë. Sipas shkresës 58-vjeçaria nuk rezulton bashkëpunëtore në grabitje dhe heqja e saj nga puna gojarisht ishte bërë në mënyrë të padrejtë.

Kujtojmë se në fillim të emisionit gruaja u ndje keq dhe u transportua me ambulancë në spital, por në fund mori lajmin e mirë nga spitali se është rikthyer në punë si sanitare.

  • foto galeri
  • foto galeri

Historia:

Katër ditë më parë Vitore Kiptiu rrëfeu në studion e emisionit me “Zemër të Hapur“ përball autores Ahmeti situatën e vështirë në të cilën po kalonte. Pas 40 vjetesh punë Kiptiu është hedhur në rrugë. 58-vjeçaria rrëfeu se ka punuar si sanitare në ish komunën Golem e cila sot është Njësia Administrative Golem, Lushnje. Zonja është larguar nga puna në 28 Janar pa asnjë motiv dhe pa asnjë shkresë zyrtare që do të sqaronte edhe motivet se pse është ndërmarrë ky veprim. Nisur nga ky fakt sipas saj largimi kishte  ardhur pa asnjë arsye. 58-vjeçaria tha se titullarët kanë gjetur një preteks ku i kanë akuzuar të birin për vjedhje të një dritareje të Njësisë Administrative, dhe se ky i fundit  është në burg.

Ndërkohë  djali i zonjës pasi është hetuar nga Policia e Lushnjës  lidhur me këtë ngjarje  rezulton sot në gjendje të lirë. Në një lidhje telefonike i biri shpjegoi edhe situatën duke deklaruar se pas hetimit ai është lënë në gjendje të lirë.  Në një lidhje telefonike me drejtorin e shërbimeve në Bashkinë e Lushnjës u vërtetua edhe fakti se zonja në fjalë është hequr nga puna gojarisht. Drejtori ja ka komunikuar zonjës lajmin pa asnjë shkresë zyrtare. Ky i fundit në shkelje totale me kodin e punës tha se do të fliste edhe zyrtarisht me shkresa. Menjëherë pas daljes në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” eperori i saj i ka dhënë një shkresë ku thuhet se zonja nuk është hequr nga puna por është pezulluar.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb