TIRANË

Një 33-vjeçare nga Përmeti dhe me banim në Tiranë është vënë në pranga të policisë, pasi dyshohet për veprën penale të mashtrimit me pasoja të rënda. Gazetarja e “BalkanWeb”, Dorjana Bezat thotë se bëhet fjalë për shtetasen Amarilda Leka.


Sipas policisë, 33-vjeçarja ka mashtruar shtetasin B. Z., me banim në Tepelenë, duke i marrë 50 000 euro, me pretendimin se ishte juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte pranë trupës gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë dhe në Gjykatën e Lartë pët të nxjerrë nga burgu shtetasin A. M.


Ky i fundit është dënuar me 30 vjet burg, për një vrasje në rrethana rënduese të kryer në Memaliaj, në vitin 2015. Shtetasja nga Përmeti por me banim në Tiranë, Amarilda Leka, e cila u arrestua sot nga Policia e Tiranës nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ajo në të kaluarën ka arritur t’u zhvasë me mashtrim rreth 24.500 euro familjarëve të një personi në paraburgim, për të ndërhyrë te gjyqtari i çështjes, me qëllim zbutjen e dënimit të të akuzuarit.


Njoftimi i policisë:

Bashkëpunimi i ngushtë mes Policisë dhe Prokurorisë çon në pranga një 33-vjeçare për “Mashtrim me pasoja të rënda”. Finalizohet operacioni policor “Bënça”, i ndjekur prej një viti me metoda proaktive. Operacioni nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bënça” bëri ekzekutimin e vendimit Nr. 2541, datë 13.11.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurisë personale “Arrest në burg” për shtetasen: A. L., 33 vjeçe, lindur në Permet dhe banuese në Tiranë. Në ngarkim të kësaj shtetaseje, Njësia Hetimore Qëndrore përcolli në Prokurorinë e Tiranës materiale hetimore dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bazë të materialeve të referuara regjistroi procedimin penal, për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të renda”.

Pas gati një vit hetimesh proaktive u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të ushtruar nga kjo shtetase. Kjo shtetase ka mashtruar shtetasin B. Z., me banim në Tepelenë, duke i marrë 50 000 euro, me pretendimin se ishte juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte pranë trupës gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë dhe në Gjykatën e Lartë pët të nxjerrë nga burgu shtetasin A. M., i dënuar me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese që kishte kryer në Memaliaj, në vitin 2015, i cili është duke vuajtur dënimin në IEVP Bënçë, në Tepelenë. Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb