DURRES- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës shpall fajtor dhe dënon me 10 muaj burg kapitenin e Anijes “ERA 1” me inicialet V.D., i cili u arrestua më 16 maj 2014, pasi në bordin e anijes që ai drejtonte u konstatua dhe më pas u sekuestrua nga Dogana Shqiptare një sasi prej 47 ton cigare kontrabandë, të cilat po tentohej të futeshin në territorin shqiptar.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin Nr. 1075, të datës 10.12.2014, shpall fajtor kapitenin e anijes për veprën penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”, të kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë. Për këtë vepër penale është dhënë dënimi me 10 (dhjetë) muaj e 20 (njëzet) ditë burgim.

Ndërkohë, në zbatim të Kodit Penal, neni 30 pika 2, është dhënë gjithashtu dënim plotësues për kapitenin e anijes, ai i Konfiskimit të mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe të produkteve të veprës penale, duke konfiskuar në favor të Shtetit të gjithë sasinë e cigareve të sekuestruara.

Gjithashtu, prova materiale anija “ERA 1” e sekuestruar më datë 17.05.2014, mbetet e sekuestruar në favor të procedimit penal të ndarë, për të cilin vazhdojnë hetimet.

Dogana Shqiptare vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha strukturat ligjzbatuese në luftën kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal

NGJARJA
Operacioni i Sekuestrimit nga dogana në maj 2014, të 47 ton cigare kontrabandë, rezultoi në shpalljen fajtor të kapitenit ukrainas të anijes “ERA 1” dhe konfiskimin e mallit.
Në datën 16 Maj 2014, Strukturat e Specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave bënë të mundur konstatimin dhe më pas sekuestrimin e një sasie prej 47 ton cigare kontrabandë e gjendur në anijen “ERA 1”.

Anija ishte larguar nga Rada e Portit të Vlorës pa lajmëruar autoritetet portuale. Operacioni për interceptimin, hetimin, shoqërimin e kësaj anijeje në Portin e Durrësit dhe sekuestrimin e mallit kontrabandë u krye në bashkëpunim mes Strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Njësinë e Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Durrës dhe Policinë e Shtetit.

Strukturat e specializuara pas kontrollit të ushtruar në anije konstatuan një sasi cigaresh kontrabandë prej 47 Ton ose 4477 koli, të cilat ishin futur në mënyrë të paligjshme në territorin doganor shqiptar, me vlerë tregtare rreth 10 milionë USD do të tentohej të hidhej për konsum në tregun shqiptar, duke shmangur kështu detyrimin doganor në shumën e 250 milionë lekë ose 2.5 milionë USD.

Cigaret e kapura kontrabandë në bordin a anijes ishin pa pullë fiskale dhe pa dokumentacion të rregullt. Në këto kushte strukturat ligjzbatuese kryen sekuestrimin e mallit kontrabandë, mjetit të transportit, ndalimin e kapitenit të anijes dhe një pjese të ekuipazhit të anijes.

Çështja iu referua Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për ndjekje të mëtejshme. Kjo ishte sasia e dytë më e madhe e cigareve kontrabandë në historinë e 20 viteve të fundit të sekuestruara nga Autoritetet Doganore Shqiptare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb