TIRANE – Djali i deputetit demokrat Mhill Fufi do të ndjekë shkollën me byzylyk elektronik, pasi gjykata vendosi masën ‘arrest shtëpie’, pasi u kap me armë në shkollë.
Ndërkohë gjykata ka vendosur masën detyrim paraqitje për vajzën që mbante armën e G.Fufit në çantën e saj.

Djali 16-vjeçar i deputetit Mhill Fufi u prangos pak ditë më parë, për armëmbajtje pa leje. Ai ishte përfshirë në një konflikt me disa persona të tjerë në shkollën “Vasil Shanto” në datën 1 dhjetor. Një grup djemsh më të mëdhenj se 16- vjeçari i kishin ngacmuar G. Fufit të dashurën M.B. dhe për këtë arsye ai i kishte goditur me mjete të forta. Dy të rinjtë ishin në një klasë dhe merrnin mësim në shkollën “Besnik Sykja”.

Një ditë më vonë, pas grindjes, në një mesazh të ardhur në “Instagram”-in e një shoku të 16-vjeçarit G. Fufi, personat me të cilët ishte grindur e kanë kërcënuar duke i thënë se do të paguajë për goditjen që u ka dhënë. I frikësuar nga reagimi i tyre, 16-vjeçari ka siguruar një pistoletë tip “Ekol” me tre fishekë në Laç dhe prej dy ditësh e mbante me vete në shkollë, duke e kishte fshehur në çantën e shoqes së klasës M. Bufi, e cila gjithashtu është arrestuar nga policia.

Efektivët e policisë janë lajmëruar që në datën një dhjetor për incidentin mes të rinjve dhe po i mbanin nën vëzhgim. Pas informacionit të marrë, efektivët e komisariatit nr. 2 bënë të mundur identifikimin e personave të përfshirë në konflikt dhe gjetjen e armës tip pistoletë “Ekol” me tri fishekë në çantën e 17-vjeçares M. Bufi, nxënëse në shkollën “Besnik Sykja”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb