TIRANË- Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të lajmit për lirimin e një prej të arrestuarve në goditjen e parë të operacionit kombëtar “Forca e ligjit” në Fier, një operacion që u përcoll me bujë nga policia. Ndërsa dje u mësua se Kujtim Kuçi paraplegjik që lëvizte me karrocë u lirua dje nga Gjykata e Fierit për arsye shëndetësore

Kuçi akuzohej për “armëmbajtje pa leje”, pasi në momentin e arrestimit iu gjet një pistoletë. Ndërsa ngriheshin dyshime për referimin e policisë, e cila ditën e arrestimit të Kuccit, Dritan Tushës dhe Bashkim ahmatos tha se akuzohen edhe për rrëmbime e vrasje, Policia e Shtetit thotë se përvecc se në Prokurorinë e Fierit ka një procedim edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Por sërish në reagimin e policisë nuk përmenden ‘vrasje’ e ‘rrëmbime’.

DEKLARATA E POLICISË 22 NËNTOR 2017
Duke iu referuar kronikës së djeshme të lajmeve transmetuar në Top Channel, mbi grupin kriminal ‘Grand’, të goditur në Fier, Policia e Shtetit sqaron se:

Në lidhje me këtë grup kriminal, ka dy procedime penale, një në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier dhe një në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Në bazë të objektit të veprave penale të ndara në kapitujt e Kodit Penal, ‘Armëmbajtja pa leje’, ‘Prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike’, dhe ‘Përshtatje të ambienteve për tregtim të lëndëve narkotike’, janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Fier.

Ndërsa për grup të strukturuar kriminal mbi bazën e ligjit 1092, Antimafia, për pastrim te produkteve të veprës penale për ‘Trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike’ dhe ‘Falsifikim dokumentesh’ janë referuar në datë 15.11.2017 dhe hetohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda, Tiranë.

Duke falënderuar mediat për bashkëpunimin, Policia e Shtetit siguron qytetarët se operacioni “Forca e Ligjit” do të vazhdojë edhe më me intensitet në ditët e muajt në vijim, për të goditur me ashpërsi çdo grup kriminal të përfshirë në listën e zezë të këtij operacioni, përmes bashkëpunimit intensiv me partnerët ndërkombëtarë.

DEKLARATA E POLICISË 15 NËNTOR
Operacioni “Forca e Ligjit” ka realizuar goditjen e parë ndaj një grupi kriminal që në skedën operacionale figuronte me aktivitet në fushën e narkotikëve, në zonën e Fierit. Janë sekuestruar armë dhe lëndë narkotike.

Në kuadër të operacionit janë ndërmarë një sërë masash tekniko–organizative e policore, për goditjen e veprimtarisë kriminale. Në fokusin e Policisë në këtë periudhë ka qenë evidentimi, identifikimi dhe goditja e aktivitetit të grupeve kriminale që operojnë ndër vite në fushën e narko-trafikut, por edhe të aseteve që këto grupe zotërojnë.

Nga strukturat policore të Drejtorisë Fier në bashkëpunim me Drejtorinë e Vlorës, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FNSH, u finalizua operacioni policor i koduar “Grand”, ku u arrestuan në flagrancë 3 shtetas, të skeduar si anëtarë të këtij grupi me tendenca të theksuara kriminale në fushën e narkotikëve, vrasjeve e rrëmbimit të personit:

– Kujtim Kuçi, 45 vjeç, banues në fshatin Sulaj, Fier.
– Bashkim Ahmeto (Kuçi), 43 vjeç, banues në fshatin Sulaj, Fier.
– Dritan Tusha, 47 vjeç, lindur dhe banues në Shijak.

Arrestimi i tyre u krye mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se dispononin lëndë narkotike. Mbi bazën e këtyre të dhënave, u ushtrua kontroll në lokalin në pronësi të shtetasit Kujtim Kuçi, në fshatin Fermë Çlirim.

Gjatë ndërhyrjes së policisë në ambientet e lokalit janë ndaluar shtetasit e mësipërm dhe pas kontrollit, shtetasit Kujtim Kuçi iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri e markës Glock dhe 2 krehra me fishekë.

Shtetasit Bashkim Ahmeto iu gjet dhe sekuestrua 1 pako me lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 1 armë zjarri pistoletë e markës Glock dhe një krëhër me fishekë.

Shtetasit Dritan Tusha iu gjet dhe sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar Cannabis Sativa.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore janë sekuestruar në cilësinë e provës material veç armëve të zjarrit dhe drogës, edhe:

– 4 automjete, njëra e blinduar;
– 2 armë gjahu;
– 1 dedektor valësh;
– shkop gome;
– 2 thika me përmasa të ndryshme;
– 8 telefona celularë;
– 900 euro

Shtetasit e ndaluar, si anëtarë të grupit të strukturuar kriminal, dyshohet se ndër vite në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar lëndë narkotike të llojit Kokainë, Heroinë dhe Cannabis Sativa, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Gjithashtu, ky grup kriminal që operonte kryesisht në zonën e Fierit, dyshohet se ka qënë i përfshirë në disa ngjarje të rënda si vrasje, rrëmbim personi, për të cilat po vijojnë hetimet intensivisht.

Paralelisht me hetimin penal, Policia ka nisur edhe hetim për të gjitha pasuritë që zotërojnë anëtarët e grupit, të dyshuara si produkt i pastrimit të veprës penale të kryer prej tyre.

Deri tani janë identifikuar disa prej pasurive, si:
– 1 kompleks shërbimesh në fshatin Fermë Çlirim, ku përfshihet hoteleri, restorant, pikë karburanti;
– 2 automjeje;
– 2 banesa në Tiranë dhe 1 në Golem;
Materialet i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Operacioni “Forca e Ligjit” do të vazhdoje intensivisht deri në realizimin e plotë të objektivit për shkatërrimin e të gjitha grupeve të skeduara kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të tyre financiare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb