ITALI

Mediat italiane vazhdojnë të shkruajnë detaje nga një operacion i madh antidrogë zhvilluar në Itali e Shqipëri, ku janë arrestuar gjithsej 5 persona. Njëri prej tyre është arrestuar në Vlorë, ndërsa dyshohet se pikërisht i prangosuri në vendin tonë është edhe kreu i organizatës kriminale të trafikut të drogës.

Sipas asaj që shkruajnë mediat e vendit fqinj, nga 5 të arrestuarit, 3 janë lënë në burg, kurse për dy është dhënë masa “arrest shtëpie”. Substanca narkotike u soll nga Shqipëria në brigjet e Brindisit me përdorimin e anijeve, të cilat zbarkuan në zona të izoluara bregdetare. Këtu gjetën mbështetjen logjistike të atyre që janë prekur nga krimi i organizuar në Puglia, përfshirë Saverio Palma, i cili u arrestua sot.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Droga, nëpërmjet korrierëve, transportohej më pas në vende të ndryshme të tregut në Itali. Vendet ku transportohej lënda narkotike janë Roma, Napoli, Milano dhe Firenze.  Pikërisht në Toskanë, organizata kishte një bazë. Anëtarë të kësaj bande kriminale ishin Armand Lushaj, Indrit Hamzaj, Julian Aliaj. Ata dyshohet se shpërndanin drogën në komunat e Firences. Lënda narkotike sillej nga Shqipëria në Brindizi.

Ndërkaq, në mediat italiane thuhet se kreu i bandës kriminale dyshohet se është  Flodian Serjani, një trafikant droge me lidhje të forta në Toskana dhe që udhëtonte shpesh mes Shqipërisë dhe krahinës së Brindisit për të organizuar mbërritjen e ngarkesave. Serjani u arrestua sot në Vlorë, Shqipëri. Gjatë hetimeve kundër grupit, janë sekuestruar rreth gjysmë ton drogë në periudha të ndryshme kohore.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb