Policia e Durrësit ka arrestuar një 35-vjeçar, të identifikuar si shtetasi Geront Vrioni.
Pas një konflikti të ndodhur në lokal, policia ka ndërhyrë për të qetësuar situatën.
Është konstatuar se 35-vjeçari kishte me vete një armë zjarri të tipit kallashnikov.
Njoftimi:
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të Patrullës së Përgjithshme, në kuadër të operacionit të koduar “Momentum”, parandalohet përshkallëzimi i një konflikti me armë zjarri.
U kap me kallashnikov, në lokalin ku u konfliktua për motive të dobëta, vihet në pranga 35-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit.
Gjatë patrullimeve me objektiv garantimin e rendit dhe sigurisë publike, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës kanë konstatuar një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në ambientet e një lokali në lagjen nr. 13.
Menjëherë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Momentum”, është ndërhyrë me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, si dhe zbardhjen e rrethanave të tij.
Nga kontrollet është konstatuar se njëri nga shtetasit e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasi Geront Vrioni, 35 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, kishte me vete një armë zjarri kallashnikov.
Shërbimet e Policisë neutralizuan dhe arrestuan në flagrancë 35-vjeçarin, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe i sekuestruan atij, armën e zjarrit.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të dokumentuar shkakun dhe rrethanat e tjera të konfliktit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.