Gazetari dhe moderatori Bledi Strakosha ka fituar gjyqin në shkallën e parë për çështjen e tij me RTSH-në. Lajmin e ka ndarë me publikun vetë Strakosha, i cili shpreh mirënjohjen dhe thekson se “ndërhyrja e gjykatës dhe vlerësimi objektiv i çështjes sime më jep shpresë për të ardhmen dhe më jep besim se drejtësia në fund, do të triumfojë”.
Sipas vendimit, gazetari do të marrë dëmshpërblim disa paga për largimin nga puna më 6 dhjetor të vitit të kaluar.
“Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për vendimin e marrë ditën e sotme nga Gjykata e Shkallës së I-rë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, për çështjen time me RTSH-në. Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së padrejtësisë që kam përjetuar dhe përpjekjes për të vërtetën dhe drejtësinë. Ndërhyrja e gjykatës dhe vlerësimi objektiv i çështjes sime më jep shpresë për të ardhmen dhe më jep besim se drejtësia, në fund, do të triumfojë. Jam thellësisht mirënjohës për drejtesinë dhe për trajtimin e kësaj çështjeje si dhe për dhënien e së drejtës që e kam kërkuar prej kohësh. Shumë falenderues edhe ndaj avokatit tim Gedeon Dudushi 🙏🏻”, shkruan Strakosha.
(BalkanWeb)