Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka bërë një denoncim lidhur me veprimet e fundit të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për t’i dhënë dy prona të rëndësishme publike Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), një strukturë që sipas saj, është krijuar me qëllimin e keqpërdorimit të pronave publike dhe private në emër të zhvillimit.

“Qeveria po përdor KISH si një maskë për të fshehur abuzimet me pronat publike”, shkruan Tabaku. Ajo thekson se “Koorporata e Investimeve nuk është gjë tjetër veçse një institucion që ekziston për të pasuruar një pakicë të lidhur me pushtetin, ndërsa qytetarët shqiptarë vuajnë pasojat e abuzimeve të kësaj strukture”.

Koorporata e Investimeve, e cila u miratua në vitin 2019 nga një parlament që sipas Tabakut “funksionon vetëm si noter i mazhorancës”, ka qenë një nga pikat më të debatuara të qeverisë socialiste. Tabaku kujtoi se ajo ka denoncuar krijimin e kësaj koorporate që në fillim, duke theksuar se ligji që mundësoi krijimin e saj ishte një porosi e qartë për të abuzuar me pronat publike. Sipas saj, ky është një ligj që nuk ka fshehur asnjëherë synimin e tij të keq: pasurimi i një klike të vogël në kurriz të shumicës.

“Në vend që shteti të përqendrohet në ofrimin e shërbimeve bazë si shëndetësia dhe punët publike, ai po ndërmerr projekte për zhvillimin e pronave publike, duke i trajtuar këto prona si pasuri private të individëve të lidhur me qeverinë”, shprehet Tabaku. Ajo shton se qeveria shqiptare, e njohur për nivelin e lartë të korrupsionit, ka krijuar një klimë ku transparenca dhe përgjegjshmëria ndaj qytetarëve janë injoruar plotësisht.

Një tjetër akuzë që Tabaku drejton ndaj qeverisë është mungesa e plotë e transparencës. Sipas saj, asnjë nga vendimet për transferimin e pronave nuk është marrë në mënyrë transparente apo me konsultim publik. Tabaku thekson se qytetarët janë lënë në errësirë, dhe çdo projekt i lidhur me këto prona është mbajtur fshehtë.

“Këto projekte mbeten larg syve të qytetarëve dhe vendimmarrja është bërë pa asnjë formë transparence”, thotë Tabaku, duke theksuar se transparenca dhe llogaridhënia duhet të jenë detyrim për çdo qeveri, dhe jo opsion i zgjedhshëm.

Në përfundim të postimit të saj, Tabaku bën thirrje për një debat të gjerë publik mbi mënyrën se si po qeveriset vendi dhe për rolin që duhet të kenë pronat publike. Ajo kërkon që qeveria të ndalojë abuzimet dhe të rikthehet te interesat e qytetarëve, duke mbrojtur pronat publike dhe duke garantuar që zhvillimi të bëhet në të mirë të shumicës dhe jo për përfitimin e një pakice të lidhur me pushtetin.

Postimi i plotë:
Kur shteti bën biznes!

Në vitin 2019, me një procedurë të paligjshme dhe të palogjikshme, qeveria shqiptare, përmes një parlamenti që funksionon vetëm si noter i mazhorancës, miratoi krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare. Kjo strukturë e re nuk është gjë tjetër veçse një maskë për të mbuluar keqpërdorimin e pronave publike dhe private, gjithmonë nën justifikimin e “zhvillimit.”

Kësaj radhe, Këshilli Bashkiak i Tiranës do të vendosë, në mënyrë të nxituar dhe pa konsultim publik, që t’i japë Korporatës së Investimeve dy sipërfaqe të mëdha, të cilat shërbejnë si terrene sportive. Stadiumi “Selman Stërmasi” dhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi” janë lënë me dashje në harresë nga Bashkia, e cila ka lejuar degradimin e tyre me qëllimin e vetëm për të justifikuar ndërtimin e kullave shumëkatëshe.

Këto prona nuk janë të parat e as do jenë të fundit, korporata e investimeve ka ndërmarrë një operacion kirurgjikal në te gjithë Shqipërinë duke identifikuar prona tejet të majme financiarisht prej pozicionit për t’i dhënë për ndërtim, sepse kjo është një situatë “win-win” thotë realicioni. Duke nënkuptuar që aty fiton korrupsioni, pasurimi i një klike të vogël në kurriz të shumicës.

Nuk ka si të jetë ndryshe përderisa deri më sot, Korporata e Investimeve Strategjike ka qenë një institucion qokash që merrte paga, bonuse e shpërblime të majme duke u mjaftuar me kryerjen e operacioneve të marrjes së fondeve publike pa realizuar apo raportuar ndokund për projektet apo planet e saj. Lëre më pastaj të tërhiqte ndonjë investim të huaj strategjik, sikundër na u shit ditën kur u votua.

Mirëpo, glutonia e një qeverie të tillë nuk mbaron dot ndaj kanë nisur të punojnë për projekte me qëllime të qarta grabitqare përfshirë edhe mbledhjen e çdo prone publike me qëllim “shfrytëzimin”. Duke konvertuar pak a shumë shtetin në një entitet privat, apo më saktë duke e shndërruar qeverinë në një pronë private të disa individëve që nuk raportojnë për të mirën publike por thjesht e marrin me arrogancë. Kjo duhej të kish hapur një debat të gjerë për mënyrën e qeverisjes, çfarë bën shteti e çfarë duhet të bëjë privati? Për publiken e privaten.

Qeveria shqiptare që është ndër më të korruptuarat në vite dhe në rajon. Me një listë të gjatë ish funksionarësh nën hetim për afera koncesionare dhe abuzime me pronat publike. Shumë pyetje të tjera mund të kishin lindur duke nisur që me faktin se sot shteti nuk po ofron dot shërbimet bazë në shëndetësi e punë publike që i koncesion e tani po mendon për hapjen e bizneseve për dhënie lejesh ndërtimi e administrim pronash?

Korporata e investimeve është produkti i një ligji të debatuar dhe kam denoncuar fortë vite më parë nga çdo foltore e mundshme, si një nga ligjet me porosi që kurrë nuk e ka fshehur qëllimin e tij të keq për të abuzuar me pronat publike sikur të jenë pronat private të qeverisë. Një ligj i miratuar nga mazhoranca socialiste, me bindje të plotë për t’i shërbyer edhe një herë pakicës jo shumicës!

Për asnjë nga këto vendime e prona nuk është zhvilluar asnjë proces transparent dërgesash publike. Projektet mbeten të fshehta dhe larg syve të qytetarëve. Transparenca dhe përgjegjshmëria ndaj publikut janë detyrime, jo opsione!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb