Janë liruar dy pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët u ndaluan nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Jarinjës.
Lajmin është konfirmuar nga Ibrahim Shala, zëdhënës në FSK. “Që të dy pjesëtarët e FSK-së janë liruar. Sigurisht i kanë marrë në pyetje, në bisedë informative, siç ka ndodhur me të tjerët deri më tash edhe me këta është vepruar”, tha Shala, për REL.

Ai tha se ndalimi i dy pjesëtarëve serbë të FSK-së nga autoritetet serbe “ne na indinjon edhe e gjykojmë rëndë sepse është rast që shkel të drejtat e njeriut, të drejtën e lirisë së lëvizjes dhe të drejtat e individit, vetëm për shkak të një përcaktimi të vet për një perspektivë jetësore që ai do të punësohet ose është punësuar, në këtë rast në FSK”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më herët gjatë ditës kishte reaguar pas ndalimit të dy pjesëtarëve serbë, duke kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm. Përveç pjesëtarëve serbë të FSK-së, të cilët janë përballur me vështirësi në vendkalimet kufitare me Serbinë, autoritetet serbe kanë ndaluar edhe disa përfaqësues politikë serbë. Vitin e kaluar, pas presioneve, siç u tha nga Beogradi zyrtar, dhjetëra pjesëtarë të FSK-së braktisën radhët e kësaj force.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb