Historiani, studiuesi, shkrimtari dhe përkthyesi i shquar Aurel Plasari është vlerësuar sot me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga presidenti Ilir Meta. Në ceremoninë e organizuar në nder të tij Plasari e ccmoi vlerësimin që iu bë.
“Për këtë arsye vlerësimin që më bëni sot me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e konsideroj një akt më shumë në të mirë të studimeve albanologjike sidomos në rrethanat e një kohe, siç e cilësova, jo ndër më të mirat për studime të tilla.”, tha në fjalën e tij Plasari.
FJALA E PLASARIT
I nderuar z. President,
Ju falenderoj për vlerësimin që më bëni duke më akorduar këtë dekoratë, që nga vetë prejardhja e fjalës do të thotë “zbukurim”. Ma keni zbukuruar punën. Veçan ju falenderoj ngaqë kjo dekoratë mban emrin e një figure që m’i ka pushtuar shumë nga vitet e mia të punëve, por duke i shndërruar edhe në vite “dashurie”. Figura e Gjergj Kastriotit ka zotëruar në monografinë tanimë të vlerësuar Skënderbeu: një histori politike (2010), doemos që ka nxjerrë krye edhe në përmbledhjen me ese Rrëmbimi i Europës (2008), në punimin monografik Shqipëria dhe shqiptarët në ‘Europën’ e Piut II (2014), deri në atë më në fundit Arbni gjeografik, historik, politik dhe kishtar (2019).
Me mirëkuptimin tuaj, kam ftuar në këtë ditë të mirë për mua një numër modest miqsh, kolegë dhe bashkëpunëtorë, punonjës shkencorë, ndër ta botues dhe njerëz të medias. Me mundësitë e tyre, ata më kanë mbështetur në çfarë kam shkruar e në çfarë më është dashur të botoj. I veçoj miqtë e medias, sepse pa dashamirësinë e tyre për albanologjinë, për debatet mbi historinë dhe rishkrimin e saj, neve që shkruajmë do të na mbetej të flisnim me veten ose, shumë-shumë, vetëm koleg me koleg.
Përveç këtij akti të sotëm, ju z. President keni kryer disa akte në mbështetje të shpallur të studimeve albanologjike dhe të institucioneve të tyre. Duke shprehur një mbështetje të tillë për studimet në fjalë dhe institucionet përfaqësuese të tyre, keni nderuar institucionin që përfaqësoni dhe më lejoni t’jua përsëris falenderimet për ato akte që ngrenë peshë në një kohë jo ndër më të mirat për studimet albanologjike, ndonëse nuk është kjo ceremoni vendi për t’i bërë anatomi një kohe të këtillë.
Vetë nuk jam ëndërrimtar në kuptimin leninist, pra jam i ndërgjegjshëm që zhvillimi i atyre që i quajmë në gjuhën profesionale dije humanistike është në lidhje të ndërsjellë me zhvillimin e një shoqërie të tërë. Vetëm duke u zhvilluar sa më shumë një shoqëri do përparojnë më shumë edhe dijet humanistike duke u bërë edhe ato vetë, nga ana e tyre, kontribuese të zhvillimit të shoqërisë.
Edhe për këtë arsye vlerësimin që më bëni sot me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e konsideroj një akt më shumë në të mirë të studimeve albanologjike sidomos në rrethanat e një kohe, siç e cilësova, jo ndër më të mirat për studime të tilla.
Ju faleminderit.
(BalkanWeb)