FRANCË- I shkëmbyen fëmijët në lindje, spitali dëmshpërblen dy nënat. Familjet e dy vajzave të cilat u shkëmbyen aksidentalisht prej infermiereve në lindje përfituan 2 milion euro kompensim nga drejtësia franceze.
Ky ishte vendimi i një gjykate që urdhëroi klinikën ku ndodhi shkëmbimi, në vitin 1994 të paguante dëmshpërblimin. Vajzat, të lindura në të njëjtën ditë, janë ngatërruar në inkubator dhe pavarësisht dyshimeve të prindërve, asnjë kontroll më i imtësishëm nuk u krye atëherë.
10 vjet më vonë prindërit e njërës prej vajzave kur panë se ajo nuk kishte asnjë ngjashmëri fizike me ta vendosën të kryenin testin e ADN-së. Ata zbuluan se asnjëri prej tyre nuk ishte prind biologjik i vajzës që kishin 10 vjet që rrisnin.
Menjëherë u vunë në kontakt me familjen tjetër dhe megjithëse u vërtetua që kishte ndodhur ngatërresa, asnjëra prej familjeve nuk pranoi që të shkëmbenin sërish vajzat.
Njëra prej nënave, Sophie Serrano mori guximin dhe foli publikisht, ndërkohë që familja tjetër u distancua nga bërja publike e rastit në fjalë. Manon Serrano është ‘viktimë’ e këtij gabimi të klinikës. Ajo foli për takimin e parë me nënën biologjike të saj.
“Është e çuditshme, të takosh një person që e di se është nëna jote biologjike por që është e huaj për ty”, tha ajo.

(m.k/Indeksonline/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb