Skuadra e Parmës siguroi këtë sezon ngjitjen në “Seria A” 4 vite pas shkrirjes si klub. Gjithsesi raportimet e fundit që vijnë nga Italia pohojnë se Parma rrezikon seriozisht përjashtimin nga elita e futbollit italian.

Gjithçka ka të bëjë me ndeshjen e fundit në “Seria B” e luajtur kundër Specias. Zyra hetimore e Federatës Italiane ka hapur hetim për “tentativë paligjshmërie” ndaj klubit dhe futbollistëve Kalaio dhe Çeravolo, për disa SMS që u kanë nisur kolegëve të tyre te Specia.

Prokuroria e cilëson zyrtarisht një shkelje dhe Parma rrezikon të mos luajë në Serinë A në sezonin e ardhshëm.

Sinjalizimi ka ardhur nga klubi i Specias, i cili ka dërguar ne Federatë mesazhe që i kanë mbërritur lojtarëve FIlipo De Kol dhe Alberto Masi nga Kalaio dhe Çeravolo. SMS-të ftonin lojtarët që të mos e tepronin me luftë sportive, meqë skuadra e tyre nuk kishte objektiva. Mesazhet ishin dërguar katër ditë para ndeshjes të 19 majit, që përfundoi 2-0 për Parmën dhe dekretoi ngjitjen e tyre në “Seria A”.

Njoftohet se zyra hetimore prej disa ditësh po merr në pyetje futbollistët e përfshirë dhe shumë shpejt pritet të marrë një vendim që mund të ndryshojë skuadrat të cilat do të luajnë në “Seria A” sezonin e ardhshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: