TIRANE- Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori pasi u përball sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për t’ju nënshtruar kështu vettingut, ka dhënë sot një deklaratë për mediat. Zaganjori pohoi se ishte njeri i ligjit, ndaj edhe kishte shkuar sot në seancë, ndërsa shtoi se për 40 vite karrierë ka punuar me përkushtim.

“Nuk është momenti për intervista. Jam njeri i ligjit, dhe erdha në proces. E kam mbështetur reformën në Drejtësi, ndaj kam respektuar KPK dhe kam dokumentuar gjithçka. Kam 40 vite pune dhe kam punuar me përkushtim”, tha ai. Teksa u pyet për faktin nëse kishte besim tek sistemi i drejtësisë, ai u shpreh se: “Nuk e di, atë do ta shohim, pasi të gjithë dokumentet qe kam pasur më është dashur që të shkoj në Gjermani”.

Kryetari i Gjykatës së Lartë zotëron një pasuri familjare me vlerë rreth 58.7 milionë lekë, ndërkohë që të ardhurat ndër vite llogariten në 99.7 milionë lekë.

Relatorja e çështjes Pamela Qirko tha se sipas ILDKPKI, Zaganjori rezulton i pastër dhe pa probleme me pasurinë, por ka kryer deklarim të pasaktë për apartamentin në Tiranë dhe një dyqan. Sipas KPK, ai ka shmangur detyrimet tatimore ndaj shtetit, duke gënjyer për vlerën e pronave. Deklaratat e Zaganjorit për pasuritë janë kontradiktore, pasi vlera e pronës së regjistruar në hipotekë, nuk korrespondon me atë reale. Ndërkohë, vendimi për Kryetari i Gjykatës së Lartë pritet të merret më 24 korrik.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb