Ndonëse se mori dy plumba nga atentati i djeshëm në mbikalimin e Shkozetit në Durrës, nata për prokurorin Arjan Ndoj ka qenë e qetë, pasi gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar. Gazetarja Klodjana Haxhiaj në një lidhje direkte nga spitali Rajonal i Durrësit tregoi detaje nga gjendja shëndetësore e prokurorit, i cili ndodhet i shtruar në katin e dytë të spitalit, ndërkohë që në një dhomë tjetër qëndron edhe miku i tij Aleksandër Laho, (Pëllumb Muharremi), i cilësuar si ‘i forti’ i Sukthit.

Haxhiaj tha se edhe gjendja e Lahos paraqitet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ai ka marrë një plumb në nofull dhe tashmë e ka të pamundur të flasë për policinë. Ndërkohë, spitali i Durrësit ruhet nga forca të shumta policore, si në hyrjen e Urgjencës, por edhe në derën kryesore të tij. Gazetarja e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ tha se mëngjesin e sotëm shefi i Komisariatit të Durrësit, Sajmir Duro ka shkuar të vizitojë Ndojën në spital.

Në atentatin që ndodhi dje në mbikalimin e Shkozetit, përveç Ndojës u plagos dhe shoferi, Andi Maloku dhe miku i tij Aleksandër Laho, i njohur si Pëllumb Muharremi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb