Këshilli i Ministrave ka miratuar sot mbulimin e shpenzimeve për mjekimin e doktor Arvin Dibrës, duke e vlerësuar këtë në dy milionë lekë të reja.

Ky vendim vjen disa muaj pas incidentit të ndodhur më 10 gusht, kur mjeku kirurg i QSUT-së u plagos aksidentalisht pasi u hodh në lumin Buna për të notuar dhe u përplas me gurët, duke shkaktuar dëmtime serioze.

Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, ai u dërgua në Itali për ndihmë të mëtejshme.

Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të suksesshme për trajtimin e dëmtimeve në qafë dhe rruazat që lidhen me shtyllën kurrizore, gjendja shëndetësore e doktorit, i cili gjithashtu ka nënshtetësi italiane, ka filluar të përmirësohet, megjithatë, ai vazhdon të ketë nevojë për trajtim.

Prof. Dr. Arvin Dibra është aktualisht shefi i Klinikës 1 Kirurgjikale në QSUT dhe drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, dhe në vijim të vendimit nr.15, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2025”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Arvin Dibra, në masën 2 000 000 (dy milionë) lekë.
Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb