TIRANË

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka folur për “BalkanWeb” pas dëshmisë së dhënë në Prokurori në lidhje me dosjen e abuzimit me tenderët në këtë institucion në kohën kur ai ishte ministër.
Manjani deklaroi se vajtja në Prokurori e tij ishte në cilësinë e dëshmitarit. Ai tha se ka folur ku ka mbante një detyrë publike dhe se tani nuk ka përgjegjësi të japë shpjegime publike.

“Unë nuk mbaj tashmë asnjë detyrë publike e për pasojë nuk kam asnjë barrë të jap shpjegime publike për këtë gjë. Gjithçka kam pasur për të ndarë me publikun e kam bërë kur mbaja detyrën publike.
Sot jam qytetar i lirë dhe pa asnjë hezitim jap shpjegimet e mia në çdo institucion hetimor. Këtë gjë e bëj në diskrecion të plotë dhe në respekt të ligjit. Mosdhënia e shpjegimeve do ishte anomali jo e kundërta”, deklaroi Manjani.

Gjithsesi ai ka preferuar të mos flasë për dëshminë e tij dhënë para oficerit të policisë gjyqësore. “Vajtja ime atje nuk kishte asnjë status tjetër përveç se të dëshmitarit. Përmbajtja e dëshmisë është konfidenciale”, u shpreh Manjani.

Manjani ka dhënë dëshminë e tij para OPGJ të cilët po hetojnë prej disa muajsh për abuzime me tenderat në MD. Ai ka deklaruar se ka firmosur praktikat por ka qenë në një pozicion që nuk është marrë me teknalitete.

Ndërkaq ish-ministri i Drejtësisë Petrit Vasili nuk është paraqitur në Prokurori. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se zoti Vasili mund të pyetet ose në orët e vona të mbrëmjes ose në ditët në vijim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb