Fillimi i Serisë A të këtij sezoni pritej me entuziazëm nga tifozët shqiptarë, duke pasur parasysh se në radhët e shumë skuadrave italiane gjenden lojtarë të Kombëtares shqiptare. Por fillimi nuk ka qenë edhe aq i mbarë për futbollistët kuqezinj, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë ndjekur si spektatorë nga shtëpia apo tribuna këto ndeshje të para.

Ajo që dihej që të shtunën ishte se në ndeshjen e hapjes së Lacios, do të mungonte Etrit Berisha. Portieri titullar i kombëtares shqiptare të futbollit ka humbur balotazhin e tij me Marketin dhe tashmë thjesht duhet të vendosë nëse do të vazhdojë të qëndrojë si zëvendësues te ky ekip apo të kërkojë një sistemim tjetër.

Futbollisti shqiptar nuk ishte as në stolin e rezervave në këtë sfidë, i lënë pushim zyrtarisht për “probleme fizike”. Në stolin e rezervave ndërkohë ishte Tomas Strakosha, ndërsa çuditërisht, edhe në radhët e rivalëve të Lacios për këtë ndeshje, Atalantës, mungonte një tjetër shqiptar. Berat Gjimshiti nuk arriti të siguronte një vend as mes 12 lojtarëve që uleshin në stol për skuadrën e tij, një sinjal mëse i qartë që trajneri Gasperini nuk e sheh për momentin si alternativë të vlefshme.

Ndeshjen nga tribuna e ka ndjekur edhe Arlind Ajeti, por për këtë të fundit mungesa edhe në stolin e Torinos ndaj Milanit ishte e kuptueshme, pasi trajneri Mihajloviç mendon se nuk ka rikuperuar plotësisht nga dëmtimi i pësuar dy javë më parë në një miqësore. Një “tifoz” në këtë javë të parë ishte edhe Frederik Veseli, i cili është mbrapa me përgatitjen fizike të sezonit ndaj trajneri i Empolit, Martushelo, vendosi të mos e grumbullonte për duelin ndaj Sampdorias.

Me pak fjalë, të vetmit kuqezinj që ishin protagonistë në këto ndeshje të para të Serisë A, ishin ata të duelit mes Peskarës dhe Napolit. Si Memushaj (debutues në Serinë A) për Peskarën, ashtu edhe Hysaj për Napolin ishin titullarë në këtë sfidë, por në fushën e lojës nuk kishte vend që nga minuta e parë për Rei Manajn. Lojtari iu gëzua debutimit zyrtar me Peskarën duke zënë pikërisht vendin e bashkëkombësit të tij në 25 minutat që iu vunë në dispozicion nga trajneri Odo.

Sulmuesi shihej si titullar në këtë sezon te klubi që e huazoi nga Interi.

Gjithsesi, duke parë se Peskara nuk kishte vështirësi të shënonte edhe ndaj një skuadre shumë të fortë si Napoli me Manajn në pankinë, aktivizimi i tij i rregullt nuk është edhe aq i sigurt.

Një situatë e tillë sigurisht që nuk do të kënaqë trajnerin De Biazi, duke pasur parasysh se të gjithë emrat e mësipërm figurojnë në listën e lojtarëve që do të grumbullohen për ndeshjen e eliminatoreve të Botërorit 2018 ndaj Maqedonisë.

Rezultatet e ndeshjeve të Seria A të luajtura sot:

Milan 3 – 2 Torino

Bologna 1 – 0 Crotone

Chievo 2 – 0 Inter

Empoli 0 – 1 Sampdoria

Genoa 3 – 1 Cagliari

Palermo 0 – 1 Sassuolo

Pescara 2 – 2 Napoli

Atalanta 3 – 4 Lazio

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: