Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi se, në përfundim të afatit ligjor, 35 parti dorëzuan kërkesat për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit. Mes tyre është edhe Partia Bashkimi Demokrat, e cila, si shumë parti të tjera të regjistruara në zgjedhje, është pak e njohur për publikun.

Megjithatë, Bashkimi Demokrat që drejtohet nga Ylber Valteri, ia ka dalë të dallohet nga rreth 30 parti të tjera të panjohura, kur vendosi sot të tërheqë kërkesën për regjistrim në zgjedhje. Kryetari Ylber Valteri i ka kërkuar KQZ-së që në mbledhjen e ardhshme të përfshijë në rendin e ditës çregjistrimin e partisë së tij, duke konsideruar se pjesëmarrja në zgjedhje është akt i vullnetit politik.

“Vullneti i PBD është që zgjedhjet duhet të realizohen me pjesëmarrjen e opozitës dhe se në kushtet e mosregjistrimit nga partitë kryesore të opozitës, zgjedhjet do të konsideroheshin farsë dhe të dëmshme për Shqipërinë dhe interesat e qytetarëve shqiptarë”, shkruan kryetari i Partisë Bashkimi Demokrat, Ylber Valteri në kërkesën drejtuar KQZ për çregjistrim nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Pbd Kerkesa
Pbd Kerkesa

Vendimi i tij erdhi një ditë pasi PD krijoi koalicionin me partitë kryesore të opozitës dhe, në të kaluarën, PBD ka qenë aleate e PD-së. Duke qenë se marrëveshja lë hapur mundësinë për zgjerimin e koalicionit me parti të tjera, vendimi i sotëm i PBD për t’u tërhequr nga zgjedhjet, duket se ka shtuar një aleat potencial në radhët e koalicionit të ri opozitar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb