TIRANË

Prokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku i kërkon informacion për vlerësimin dhe procesin e pikëzimit nga secili anëtar i KLP-së me qëllim për të shqyrtuar mundësitë e ankimimit të vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e rendit të dytën në listën e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

Ligjërisht afati për ankimimin mbaron të merkurën në orën 16:00. Nëse brenda këtij afati, Marku nuk i drejtohet Gjykatës Administrative, ditën pasardhëse lista i dërgohet kuvendit. Nëse Marku ushtron të drejtën e ankimimit, KLP është e detyruar të presë vendimin e gjykatës. Ligji thotë se rezultati mund të anikmohet vetëm për mbledhjen e pikëve, por nuk mund të ankimohet metodologjia e pikëzimit.

“Në mbështetje të nenit 34 të Ligjit nr.97/2016 datë 6.10.2016 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’ dhe nenit 21, pika 4 e ‘Rregullores mbi Kriteret dhe Procedurën për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë’, me qëllim që të vlerësoj të drejtën time për të ushtruar ankim kundër vendimit të Këshillit, kërkoj të më vihet në dispozicion pikëzimi i detajuar prej secilit anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë me analizën dhe metodologjinë përkatëse të vlerësimit të ndjekur nga secili anëtar, sipas formatit të detyruar ligjor në bazë të nenit 21 pika 1 të ‘Rregullores mbi kriteret dhe Procedurën për përzgjedhjen e Kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë’, sipas Shtojcës E bashkëlidhur kësaj rregulloreje”, shkruhet në kërkesën e Markut.

Marku u rendit e dyta me 406 pikë pas Olsian Çelës me 459 pikë dhe para Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Kerkese Per Info

Më 14 nëntor, KLP miratoi me shumicë votash pr/vendimin për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm me mandat kushtetues.
Pasi lista dërgohet në parlament, Kuvendi ka 30 ditë kohë të votojë prokurorin e përgjithshëm. Nëse dështon votimi në Kuvend, emërimin e bën KLP. Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëron kandidatin që kryeson listën për prokuror të përgjithshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb