Pengmarrja e qindra vajzave dhe grave nga Boko Haram në Nigeri shokoi mbarë botën, ndërsa ushtria nigeriane thotë se ka liruar të paktën 700 prej tyre.

Lami Musa, 27 vjeçe është një prej të mbijetuarave, e cila për pesë muaj ka qenë peng e grupit terrorist Boko Haram, ndërsa javën e shkuar ajo u lirua nga ushtria nigeriane. Tashmë ajo jeton bashkë me 275 gra të tjera dhe fëmijë në një qendër, nga ku ka rrëfyer për tmerret që ka kaluar në robëri. Luftëtarët e Boko Haram sulmuan fshatin e saj Lassa, në muajin dhjetor, duke i vrarë burrin dhe më pas duke rrëmbyer ata vetë. Pas la tre fëmijë të vegjël. “Më morën sepse duhej të martohesha me një nga komandantët e tyre. Kur e panë se isha shtatzënë, më thanë ‘një javë pasi të lindësh, do të martohesh me komandantin tonë’. Javën e kaluar solla në jetë një vajzë. Një ditë më vonë, ushtarët sulmuan terroristët dhe më liruan mua dhe shumë gra të tjera”, tregon Lami. Por operacioni për lirimin e tyre ishte dramatik, pasi militantët kërkonin të mbroheshin pas grave. Kur ato refuzuan, xhihadistët nisën t’i qëllojnë me gurë.

“E mbështeta fort beben time pas barkut dhe u kërrusa sipër saj. Tre gra përfunduan të vrara”, thotë ajo.

Pasi ushtria siguroi kampin terrorist, nisi transportimi i pengjeve. Disa gra kaluan përmes një shtegu të ngushtë pasi Boko Haram kishte minuar shumë fusha. Tre gra të tjera u vranë nga minat gjatë rrugës. Lami ende nuk e di se çfarë ka ndodhur me fëmijët e saj.

Ndërsa 20-vjeçarja Salamatu Bulama humbi djalin e saj dy vjeç gjatë kohës që ishte peng, për shkak të kequshqyerjes.

“Gjatë kohës që ishim peng, nuk mund të lëviznim as disa centimetra. Vetëm një herë në ditë hanim diçka, kryesisht misër të thatë. Shumë gra vdiqën nga lodhja dhe sëmundjet”, thotë Asabe Umaru.

Në total ushtria ka liruar që nga e marta rreth 700 pengje në pyllin Sambisa. Sipas Amnesty International, Boko Haram ka rrëmbyer të paktën 2 mijë gra e vajza në veri të Nigerisë. Ish-pengjet kanë raportuar për martesa të detyruara, abuzim seksual dhe misione ushtarake për islamikët.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: