Ndotja e ajrit në qytetin e dytë më të madh të Pakistanit, Lahore, ka shënuar të shtunën rekord të të gjitha kohërave, pasi nivelet e ndotjes kanë qenë 80 herë më të larta sesa çka konsideron të pranueshme Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Niveli i grimave PM2.5 në ajër – të cilat shkaktojnë dëmet më të mëdha në shëndet – kanë arritur në 1.067, dhe më pas kanë rënë në rreth 300 në mëngjes.

Secila shifër mbi 10 e këtyre grimave në ajër konsiderohet e pashëndetshme nga OBSH-ja.

“Nuk kemi arritur kurrë nivelin 1.000”, ka thënë Jahangir Anwar, zyrtar i lartë për mbrojtje të ambientit në Lahore, në disa përgjigje për agjencinë e lajmeve AFP.

Ka ditë që Lahorja është e ngufatur nga smogu, që shkaktohet prej përzierjes së mjegullës dhe tymit të naftës së djegur, si dhe thëngjillit për ngrohje.

“Indeksi i kualitetit të ajrit do të mbetet i lartë edhe në 3-4 ditët e ardhshme”, ka thënë Anwar.

Të mërkurën, agjencia për mbrojtje të ambientit në Lahore ka prezantuar kufizime të reja në katër pika kryesore në qytet.

Makinat e vogla tuk-tuk, që kanë motorë të fuqishëm, janë ndaluar për qarkullim, ashtu sikurse puna e restoranteve që kanë skara pa filtër.

Zyrave qeveritare dhe kompanive private u është kërkuar që një pjesë të punëtorëve të mbajnë në shtëpi dhe të punojnë nga distanca, nisur nga e hëna.

Puna e ndërtimtarisë është ndalur, ndërsa shitësit e ushqimeve të shpejta në rrugë duhet të mbarojnë punën në orën 20:00./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb