KOSOVË- Policia e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate se gjatë ditës së sotme ka ndaluar pesë persona në qytetin e Mitrovicës, në lidhje me një rast që është duke u hetuar. Mediat vendore në Kosovë kanë publikuar lajmin se “anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muhamet Kelmendi është ndaluar”.

Në komunikatën e policisë thuhet se ndër të ndaluarit është edhe zoti Kelmendi, por ai në polici “është shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit”.

Ndërkohë vetë Kelmendi, ka folur për arrestimin e tij nga Policia e Kosovës. Ai është intervistuar me telefon nga gazetari i “Klan Kosova”, Kushtrim Sadiku. “Ndodhi një spektakël politik që unë nuk e kam pritur nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Brendshme. Me të mbërritur në Mitrovicë, as dy minuta nuk ka zgjatur kur njësitet speciale m’u kanë drejtuar sikur të isha një kriminel i madh. Ata më kanë pyetur nëse e njoh një person, student në Universitetin AAB. Më kanë thirrur në cilësinë e dëshmitarit”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka thënë se sjellja e policisë ishte korrekte. “Por spektakli i bërë ishte me qëllime politike. Cili është shkaku që ministri i Punëve të Brendshme dhe komandanti i policisë dhanë urdhër për ta sulmuar një qytetar të Kosovës në asi forme spektakolare? Kjo ka ngjyrim politik për t’i sulmuar njerëzit që nuk mendojnë njëjtë si ata, që janë zëra kritikë dhe nuk pajtohen me këtë lloj politike dhe këto zhvillime”, ka deklaruar Kelmendi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate, ka thënë se është e befasuar me ndalimin e anëtarit të kryesisë së partisë Muhamet Kelmendi.

“Profesor Muhamet Kelmendi u ndalua befas, me pretekst krejt të pakuptimtë për veprimtarinë e tij, derisa po udhëtonte në Boletin, në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Heroit të Kombit Isa Boletini”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Sipas raportimit të “KlanKosovës”, Muhamet Kelmendi është liruar nga mbajtja në Policinë e Kosovës.

Muhamet Kelmendi në fillim u raportua se u arrestua si i dyshuar për një aksion terrorist në Veri të Mitrovicës, por që në komunikatën e Policisë së Kosovës thuhet se ai është arrestuar si dëshmitar dhe është intervistuar.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb