ELBASAN

Pas shoqërimit mbrëmjen e kaluar specialistët për hetimin e krimit ekonomik dhe financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, bënë ndalimin e pedagogut Denis Himçi, 36 vjeç. Pedagogu i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan akuzohet për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndalimi i tij u bë pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop”, ku ky shtetas i kërkonte favore seksuale një studenteje në këmbim të dhënies së provimeve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Në videon e publikuar pedagogu Himci shfaqet me një makinë tip “Audi”, ndërsa tregohet këmbëngulës duke i bërë komplimente dhe duke i premtuar vajzës veç marrjes së provimeve, edhe dhurata gjithashtu.

“Mallkuar ai që nuk të do ty, të çoj unë për ndonjë masazh. Zëre se unë jam engjëlli yt dhe do t’i plotësoj të gjitha nga A-ja te Zh-ja”, dëgjohet të thotë ndër të tjera pedagogu në video.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb