TIRANE- Taf Koleci, sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Industrisë të Shqipërisë si dhe minatori në pension, Nikoll Gjoka kanë treguar detaje nga shoqërimi i tyre në polici, pas protestës që zhvilluan sot para Kryeministrisë.

Të ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Koleci dhe Gjoka thanë se ishin marrë në pyetje në Komisariatin nr.1 dhe më pas u lanë të lirë. Gjatë fjalës së tij Koleci paralajmëroi se javën që vjen do të zhvillohet sërish një tjetër protestë për të drejtat e minatorëve. Ai tha se prej vitesh politikanët e kanë mashtruar këtë kategori.

“U shoqëruam në komisariatin nr.1. U shoqëruam pasi duhet të deklaroheshim se cili ishte misioni jonë. Protestat tona do të jenë gjithnjë e në rritje. Do protestojmë dhe javën tjetër. Qeveria dhe politikanët na kanë mashtruar për tërë këto vite dhe deri tani nuk është bërë asgjë për këtë shtresë të marxhinalizuar. Ne kemi si detyrë të njoftojmë policinë e shtetit. Se ça bën kjo e fundit nuk e dimë. Ne po lobojmë me ministrinë dhe qeverinë shqiptare, presim”, pohoi Koleci, shkruan ‘BalkanWeb’.

Ndërkohë, Gjoka tha se në datën 13 qershor në orën 10:00 minatorët do të hidhen sërish në protestë. “Ne kemi paraqitur një projekt që në 2016-ën. Me statusin jemi dakordësuar që në këtë vit. Pas dakordësimit janë bërë disa lëvizje nga ministri Gjiknuri. Por ai tha se nuk kanë fonde. Nuk po kërkojmë as 60 përqind të punës tonë. Kam dyshime të jashtëzakonshëm. Organet shtetërore duhet të çlirohen nga abuzimet. Ne kemi investuar për atë punë. Mosha mesatare e minatorit është 56 vjeç. Ne si grup nismëtarësh jemi përpjekur me sindikatat, kemi arritur të bashkohemi. Ne do të mblidhemi në datën 13 qershor, në orën 10:00, në një protestë pa afat”, pohoi Gjoka.

Kujtojmë se para se të niste protesta, policia paraqiti me shkresë mosaprovimin e saj për arsye procedurale, ndërsa tubimi u cilësua i paligjshëm. Minatorët kishin paraqitur kërkesën për protestë para kryeministrisë ditën e hënë por pavarësisht se nuk morën leje ata vijuan aksionin e tyre.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: