28-vjecari Mario Majollari u ekzekutua shumë pranë banesës së tij në prill të 2018. I vetmi faj i tij ishte se në vena kishte gjakun e babait vrasës, megjithëse ai u rrit pa praninë e tij që në vitin 1997, kur prindërit iu divorcuan. Pas ngjarjes, polica tha se vrasja ndodhi për gjakmarrje dhe vuri në pranga si autor të dyshuar Kastriot Gjuzin, vëllain e Ilir Gjuzit të vrarë nga Avni Majollari në vitin 2000.

Ethet e gjakut duket se nuk janë shuar. Në komisariatin nr. 4 të policisë në datën 28 dhe 29 korrik familjarë të Mario Majollarit kanë denoncuar familjarë të fisit Gjuzi se i kanë kërcënuar me jetë. Konkretisht, Aleksandër Kurti, burri i tezes së Mario Majollarit, ai që i është bërë krah nënës së tij për të kërkuar në dyert e gjykatës autorët e vrasjes së të birit, thotë se është kërcënuar nga Amarildo Gjuzi dhe krushku i tij, Aldo Kasollari.

“Amarildo Gjuzi bashkë me këta persona dhe një grup tjetër dhe me Aldo Kasollarin në krye, kam marrë një kërcënim. Unë nga Aldo Kasollari jam kërcënuar me rrezik jete dhe jam poshtëruar e ofenduar në sy të bashkëshortes. Unë nga këta persona jam studiuar, ndjekur në Kinostudio për gati 72 orë dhe jam parë egërsisht nga këta persona unë personalisht, por edhe bashkëshortja ime me dy kalamaj”, ka thënë Kurti.

Pas kërcënimeve në lagje, Aleksandër Kurti ka shkuar në polici në datën 28 korrik dhe ka denoncuar rastin, por sapo ka dalë ai është kërcënuar për herë të dytë, këtë radhë para komisariatit në prani të punonjësve të policisë.

“Me 29, kur kam dalë nga komisariati, jam shtangur dhe kam parë tmerr. Kanë qenë katër persona me dy makina luksoze dhe gati për të m’u hedhur. Aty m’u prezantua që unë ja Amarlido Gjuzi, djali i Ilir Gjuzit. Aty kishte dy agjentë policie, në momentin e përballjes sime me ato ata afrohen, por Amarildo Gjuzi i degjeneron të dy, me fjalën bastarde “m’u zhdukni”. Në këtë moment dy agjentët e policisë largohen”, ka treguar më tej ai.

Pavarësisht 2 kallëzimeve për kërcënim të jetës së tij dhe të familjes, komisariati nr 4 është mjaftuar me referimin e çështjes në prokurori dhe nuk ka marrë asnjë masë për mbrojtjen e familje së Aleksandër Kurtit. Kryefamiljari bën apel për ndihmë.

“Ndjehem shumë i kërcënuar, shumë i pambrojtur. I kërkon ndihmë madhore Presidentit Ilir Meta. Këta dy persona po më rrezikojnë jetën time dhe të familjes. I kërkoj ndihmë edhe kryeministrit Edi Rama, është çështje shumë e ndërlikuar, jetë a vdekje”, është shprehur Aleksandër Kurti.

Nga ana tjetër, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për pushimin e hetimeve për Kastriot Gjuzin, i cili u arrestua si autor i dyshuar i vrasjes së Mario Majollarit. Në maj të këtij viti, Gjuzi la qelinë, pasi prokuroria nuk siguroi prova kundër tij. Vendimi u kundërshtua nga familjarët e viktimës që iu drejtuan apelit për të vendosur drejtësi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb