Deputetja socialiste Milva Ekonomi ka reaguar pasi u bë sot pjesë e një incidenti në korridoret e Kuvendit, ku është shtyrë nga deputeti i PD, Xhelal Mziu.

Ajo tha se shprehet e keqardhur për nivelin ku kanë degraduar deputetët e opozitës, ndërsa thekson se “kjo sjellje e papranueshme, që po tejkalon në dhunë e kërcënim fizik po bëhet çdo ditë e më tepër shqetësuese”.

Ekonomi me anë të një postimi në Facebook, u bëri thirrje deputetëve të PD që t’i kthehen arsyes dhe t’i japin fund kësaj formë të bërit opozitë.

“E keqardhur për nivelin ku kanë degraduar kolegët e opozitës. Agjenda e dhunës që po përpiqen ta imponojnë edhe në Kuvendin e Shqipërisë po kalon çdo kufi.

Kjo sjellje e papranueshme, që po tejkalon në dhunë e kërcënim fizik po bëhet çdo ditë e më tepër shqetësuese.

Personalisht, ndjej detyrim të reagoj jo vetëm pse isha pjesë e kësaj situate konfrontuese, por edhe si deputete që ka zgjedhur të ushtrojë mandatin e deputetes konform rregullave dhe obligimit që kemi ndaj zgjedhësve tanë.

Asnjëherë nuk është vonë për t’ju kthyer arsyes dhe normalitetit, dhe shpresoj që deputetët e opozitës të kuptojnë që kjo formë e të bërit opozitë duhet të marrë fund njeherë e mirë në Shqipëri, ku problemet individuale tentohen të kthehen në kriza institucionale që pengojnë Shqipërinë në aspiratat intergruese në Bashkimin Europian”, u shpreh Ekonomi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb