Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar pas sulmit me vezë e kos, si dhe fyerjet ndaj deputetit grek të Parlamentit Evropian Fredi Beleri.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme greke dënon sulmet ndaj eurodeputetit grek dhe iu kërkon autoriteteve shqiptare të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë dhe lirinë e eurodeputetëve për të kryer pa pengesa detyrat e tyre.

“Dënojmë sulmet ndaj eurodeputetit grek Fredi Beleri gjatë vizitës së delegacionit të Parlamentit Europian në Tiranë për të monitoruar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.

Autoritetet shqiptare duhet të marrin masat e duhura për të garantuar sigurinë dhe lirinë e eurodeputetëve për të kryer pa pengesa detyrat e tyre. Eurodeputetët përfaqësojnë interesat e qytetarëve të BE-së dhe duhet të trajtohen me respektin e duhur”, deklaron Ministria e Jashtme greke.

Ndërkohë sot policia e Tiranës shoqëroi shtetasin Dilaver Nela, i cili qëlloi dje me vezë dhe kos eurodeputetin Fredi Beleri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb