Të hënën në mbrëmje Italia vulosi një nga kapitujt më të zymtë në historinë e saj duke mos u kualifikuar dot për në Botëror, gjë e cila kishte ndodhur për herë të fundit 58 vite më parë.
Shumë u mërzitën për këtë fakt pasi dihet që kombëtarja ‘axurre’ ka tifozë të shumtë jo vetëm në Itali por edhe në Europë. Gjithsesi pati edhe nga ata që përfituan nga situata për të tallur me të kaltrit apo për të bërë ironi me ta. Njëri prej tyre është ish-mesfushori i Gjermanisë dhe Chelsea-s Michael Ballack.
Ballack ka shkruar në “twitter”: “Lutuni për Italinë!”. Disa momente më pas, ish-mesfushori ka vazhduar të ironizojë: “Gjermania kampione bote?!”, duke dashur të tregojë se kombëtarja gjermane e ka në dorë Kupën e Botës pas eliminimit të italianëve, sipas të cilit janë një skuadër, e cila i sjell ters gjermanëve në këtë kompeticion.
Menjëherë pas këtyre postimeve, Mikael Balak, ka marrë mjaft përgjigje nga fansat e skuadrës italiane, të cilët i kanë kujtuar atij edhe humbjen në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për vitin 2006, në të cilën kombëtarja italiane ka eliminuar gjermanët falë dy golave të Fabio Grosos dhe Alesandro Del Piero-s me rezultatin 2-0 duke i siguruar kualifikimin Italisë, biletën për në finale, në të cilën kombëtarja e udhëhequr nga trajneri Marselo Lipi arriti të mposhtë edhe kombëtaren franceze falë penalltive pas përfundimit të kohës zyrtare me rezultatin 1-1 duke u shpallur Kampion Bote.
Pas reagimeve të tifozëve ndaj ironisë së ish-kapitenit të kombëtares gjermane, Mikael Balak, ky i fundit i ka fshirë postimet e tij nga rrjeti social “Twitter”.
(e.k/BalkanWeb)
