Ka “prova thelbësore” se ish-kongresmeni i Floridës, Matt Gaetz, të cilin presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump e përzgjodhi si prokuror të përgjithshëm në administratën e tij të ardhshme, ka paguar për marrëdhënie intime me një të mitur, ka pohuar një raport i Komitetit të Etikës të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA. Ai akuzohet gjithashtu për shkelje të tjera të rënda të ligjit shtetëror dhe rregullave të Kongresit.
Trump e shpalli Gaetz-in si zgjedhjen e tij për postin në mes të nëntorit, menjëherë pasi siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Gaetz, megjithatë u tërhoq nga propozimi i Trump më vonë në të njëjtin muaj mes akuzave për sjellje të pahijshme seksuale, të cilat ai i ka mohuar.
Departamenti i Drejtësisë kishte përfunduar më herët një hetim mbi akuzat për trafikim seksual kundër Gaetz pa ngritur akuza, megjithëse Komiteti i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili nisi hetimin e tij mbi aktivitetet e politikanit në vitin 2021, vazhdoi ta shqyrtonte çështjen.
Në raportin e tij të lëshuar të hënën, komiteti tha se kishte gjetur “prova thelbësore” se Gaetz “pagoi rregullisht” gratë për t’u përfshirë në aktivitet seksual nga viti 2017 deri në vitin 2020, duke shkelur rregullat dhe standardet e sjelljes së Dhomës së Përfaqësuesve. Pagesat dyshohet se arrinin në dhjetëra mijëra dollarë.
Raporti thoshte gjithashtu se në vitin 2017 Gaetz pagoi një vajzë 17-vjeçare për marrëdhënie intime, gjë që do të përbënte përdhunim sipas ligjit të Floridas, pasi vetë Gaetz ishte 35 vjeç në atë kohë. Midis 2017 dhe 2019, Gaetz u zbulua se në shumë raste kishte “përdorur ose poseduar droga të paligjshme, duke përfshirë kokainën dhe ekstazën”.
Shkeljet e tjera të politikanit përfshinin dhurata të palejueshme, favore speciale dhe keqpërdorim të fondeve të fushatës, thuhej në raport. U pohua gjithashtu se Gaetz “me vetëdije dhe vullnet” u përpoq të pengonte hetimin e tij, duke përfshirë fshehjen e provave dhe dhënien e përgjigjeve mashtruese për pyetjet që i parashtronin atij.
Në një përpjekje të minutës së fundit për të bllokuar raportin nga publikimi, avokatët e Gaetz paraqitën një ankesë civile kundër komitetit dhe kryetarit të tij, kongresmenit Michael Guest, më herët të hënën. Padia pretendonte se Gaetz nuk ishte njoftuar për planet e komitetit për të publikuar raportin, as nuk i kishte dhënë kopje të materialeve përpara publikimit të tij, pavarësisht se këto ishin kërkesa sipas rregullave të Dhomës. Ai gjithashtu pretendoi se komitetit “i mungonte juridiksioni” për të vazhduar hetimin e tij pasi Gaetz dha dorëheqjen nga Kongresi, gjë që ai bëri pasi u zgjodh për administratën e ardhshme të Trump.
Ankesa kërkonte që gjykata të lëshonte një urdhër ndalimi të përkohshëm për të bllokuar publikimin zyrtar të raportit, por përpunimi i tij u ngec për shkak të gabimeve në dokumente, të cilat avokatët e Gaetz nuk arritën t’i rregullonin përpara se dokumenti të bëhej publik.